Ish kryeministri Sali Berisha ka refuzuar të shkojë këtë të hënë në SPAK, i therritur si ‘person nen hetim’ për aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani.

Në një prononcim për gazetarët nga kryesia e Kuvendit, ai tha se askush nuk mund ta imponojë atë që të shkelë Kushtetutën.

“Përderisa Kushtetuta është në fuqi nuk ka bandit në Shqipëri as në botë që mund të më imponojë mua që të shkel Kushtetutën. Kjo është e thjeshtë. Kaq”, u përgjigj shkurt Berisha.

Gazetari i ABC News, Ermal Vija raporton se Berisha nuk është paraqitur.

“Sot në fakt është e hëna e parë e muajit ku zoti Berisha duhet të paraqitet përballë oficerit së policisë gjyqësore, Adelajd Ahmetaj në lidhje me masat e sigurisë të  dhëna ndaj tij. Deri në këto momente ai nuk është paraqitur në ambientet e prokurorisë. Tashmë do të shohim se cila do të jetë fjala e oficerit të policisë gjyqësore, i cili është edhe oficeri i ngarkuar me detyrë për të pritur personin ndaj të cilit po zhvillohen hetime.

Më pas, oficeri i policisë gjyqësor, do t”ia raportojë thyerjen e vendimit të gjykatës nga ish kryeministri Sali Berisha, prokurorëve të çështjes, Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai, të cilët kanë kërkuar dy masa ndaj zotit Berisha: Paraqitje dy here ne muaj para Gjykates dhe dorezimin e pasaportes.

Më pas, do të shohim se cila do të jetë lëvizja e prokurorëve për nxjerrjen  e një mase tjetër shtrënguese ndaj zotit Berisha dhe do t’i drejtohen gjykatës. Të shohim se cila do të jetë lëvizja e dy prokurorëve. Tashmë, do të jetë në dorë të oficerëve të policisë gjyqësore dhe dy prokurorëve”, raportoi gazetari i ABC News, Ermal Vija.