Sali Berisha e ka bërë fakt koalicionin me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Teksa ka prezantuar sot 6 kandidatët e tij për zgjedhjet e pjesshme në 6 bashki në datën 6 mars, Berisha tha se këto kandidatë do të mbështeten padiskutim nga LSI, por edhe nga forcat e tjera politike. Ish-Kryeministri u shpreh se koalicioni do të quhet ‘Shtëpia e Lirisë’. Megjithëse kryetarja e LSI-së ende është deklaruar për koalicionin, nga radhët e LSI-së nuk është përfolur asnjë emër për kandidat për 6 bashkitë ku do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme, duke shtuar në këtë mënyrë dyshimet se kjo parti mbështet 6 kandidatët e Komisonit të Rithemelimit.

Megjithëse flet në emër të Partisë Demokratike, Sali Berisha pranoi sot se nuk e përdor dot logon e PD-së, pasi sipas tij e ka konfiskuar Rama dhe Lulzim Basha është peng i tij, ndërsa shtoi se logon e koalicionit do e vendosin më vonë.

Duke u ndalur tek procesi i primareve që u zhvilluar një ditë më parë për emrat e 6 kandidatëve për kryetar bashkie, Sali Berisha u shpreh se ato kandidatë kanë mbështetjen e anëtarësisë së bazës. Berisha tha se ato nuk janë kandidatë të tij, por janë të gjithë të propozuarit e bazës dhe që kanë mbështetjen e Komisionit të Rithemelimit dhe të tijën.

‘Këto janë primaret e para në të cilën çdo kandidat është produktet dhe atribut i anëtarësisë së bazës së partisë. Asnjë nga këto që shihni nuk janë kandidatë të Sali Berishës apo të Komisionit të Rithemelimit, por janë të gjithë të propozuarit e bazës që kanë mbështetjen e Komisionit dhe të Sali Berishës. Ato ishin zgjedhjet me demokratike të zhvilluara në ndonjë vend. Dita e djeshme shënoi aplikimin e një standardi të paparë që nuk ka ekzistuar ndonjëherë në Shqipëri. Shënoi shkëputjen e PD-së nga praktikat e errëta, të përdorura në 8 vite nga Lulzim Brava dhe shënoi mbajtjen e një premtimi të bëra nga PD.’- tha Berisha.