Një njoftim tronditës erdhi mbrëmjen e së dielës nga familja Biden. Ish-presidenti Joe Biden është dignostikuar me një formë agresive të kancerit në prostatë, i cili është përhapur edhe në kocka.
Siç bëri të ditur zyra e ish-kreut të Shtëpisë së Bardhë, Biden kishte shkuar për kontroll mjekësor javën e kaluar, për shkak të simptomave në traktin urinar. Të premten, sipas njoftimit, ai u diagnostikua me kancer në prostatë të agresivitetit të lartë që nënkupton se qelizat kancerogjene mund të përhapen me shpejtësi.
Në deklaratë shtohet më tej se 82-vjeçari dhe familja e tij po shqyrtojnë mënyrat e mundshme të trajtimit.
Dr. Chris George shprehet: “Kur kanceri është përhapur në kocka, ai është i stadit të 4. Kjo nënkupton se kanceri nuk është i kurueshëm. Nuk ka trajtime të disponueshme që mund ta kurojnë atë. Megjithatë, ka terapi të cilat ndihmojnë për të mbajtur nën kontroll dhe supozoj se mjekët që po kujdesen për të po mendojnë mënyrat e duhura”.
Një mori mesazhesh vërshuan në mbështetje të ish-presidentit, pasi u bë publik lajmi.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë, Trump shkroi në rrjetet sociale se ai dhe Zonja e Parë Melania, ishin trishtuar nga njoftimi për sëmundjen e Biden.
“I përcjellim urimet më të ngrohta Xhillit dhe familjes. I urojmë Xhosë shërim të shpejtë e të suksesshëm”, thuhej në mesazh.
Ish-presidentja Kamala Harris shkroi se ajo dhe bashkëshorti po luten për familjen Biden. Reagim pati edhe nga ish-presidenti Barack Obama, i cili ka pasur Biden si zëvendësin e tij. Obama tha se ai dhe bashkëshortja Michelle po mendonin për të gjithë familjen Biden.
Komente