Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka vendosur këtë të mërkurë që të lërë në fuqi masat e sigurisë për personat e përfshirë në dosjen “Babale”.

Shtetasi Fredi Alizoti,alias- Babale,  i dyshuar për kryerjen e veprës penale të kallëzimit të rremë, është lënë në burg. Gazetari Jetmir Olldashi, personi i cili kreu dhe një pjesë të përgjimit të Babales e intervistën me të, është lënë i lirë, duke mos ju ndryshuar masa e detyrimit të paraqitjes në gjykatë.

Ndërkohë në lidhje me vetë Babalen, Albert Veliun, Gjykata e Apelit nuk ka dhënë masë të re pasi personi në fjalë nuk e ka ankimuar vendimin për shkak se aktualisht ndodhet ende në procedurat për marrjen e azilit në Prishtinë të Kosovës.

Çështja Babale nisi muaj më parë përmes një audio- përgjimi të bërë publik nga ana e PD-së. Në të Babalja pretendonte se kishte folur me vëllain e ish Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj për trafiqe droge. Akuza u hodh poshtë nga vetë Geron Xhafaj, i cili më pas shkoi në Itali për të vuajtur dënimin e bërë publik po nga PD, një dënim për trafik droge i dhënë në fillim të viteve 2000 në Itali, për të cilin vëllai i ish Ministrit s’kishte bërë asnjë ditë burg.

Më tutje në skenë del Fredi Alizoti, i cili pretendoi se ishte ai personi i cili kishte imituar vëllain e ish Ministrit. Javë më vonë, po Fredi Alizoti doli në një tjetër video përgjim të PD-së, ku tregonte se ishte instruktuar nga zyrtarë të lartë të PS-së, që të thoshte se ai ishte imituesi i vëllait të ish Ministrit.

Në atë kohë përmes një interviste në Prishtinë, Babalja do të shprehej se e njihte Alizotin por se deklarimi i tij për “lojën e përgjimeve” mes të dyve ishte një gënjeshtër dhe se audio përgjimit mes Veliut e Geron Xhafës ishte i vërtetë.

Veritas.com.al/

( FOTO: Gazetari që përgjoi dhe denoncoi në PD, Jetmir Olldashi dhe ‘babalja’ Frfedi Alizoti)/