Sot, dita e dytëe fatkeqësisë së tërmetit, i ka gjetur të gjithë me sy nga të dëmtuarit dhe mbarë popullin në një ndjenjë gatishmërie e dhimbjeje. Sot ka nisur që herët puna që nuk ishte ndërprerë as natën.

Ora 11:08 – Në pallatin e shembur 5-katësh në Thumanë mendohet se nën rrënoja janë edhe 6 persona.

Gjovalin Loka, përfaqësues i rendit dhe sigurisë në vend, i tha televizionit A2 se mendohet se të paktën 6 persona të tjerë ndodhen nën rrënoja dhe po kërkohet për ta.

Ora 10:59 – Kryeministri Edi Rama viziton kampin e ngritur në aneksin e stadiumit “Niko Dovana”, në Durrës.

Ora 10:45 – Ministre e Shëndetësisë, Manastirliu nga Spitali i Traumës: 8 persona në gjendje të rëndë

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në një deklaratë për mediat nga Spitali i Traumës dha detaje mbi personat që po trajtohen në spital.

“Janë 8 persona në gjendje të rëndë që po trajtohen në terapi intensive. Po vlerësojmë edhe mundësinë që të marrin trajtim më të specializuar në Itali. Kemi dy raste për të cilat po presim vlerësimin dhe përgjigjen nga partnerët italianë”, deklaroi ministrja.

“Dua të garantoj që puna që është bërë nga mjekët në Tiranë dhe Durrës është një punë e jashtëzakonshme profesionale, por duam që të mos mungojë asgjë dhe nëse është e nevojshme, të sigurojmë trajtim edhe më të specializuar se në Shqipëri”, tha Manastirliu.

Ora 10:29 – Rritet numri i personave që kërkojnë strehim në kampin e ngritur në aneksin e stadiumit “Niko Dovana” në Durrës.

Ora 10:06 – Nxirren dy trupa të tjerë të pajetë në Thumanë.

Bëhet fjalë për çiftin e bashkëshortëve Greku.

VERITQAS.COM.AL/