Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, doli në një konferencë për shtyp duke raportuar mbi angazhimin e Policisë së Shtetit pas tërmetit të fuqishëm të 26 nëntorit.

Zoti Veliu bëri të ditur se Policia e Shtetit angazhoi në zonat e prekura mbi 4000 forca policie me detyra konkrete.

“Falë ndërhyrjes së tyre, në bashkëpunim edhe me skuadrat e zjarrfikëseve dhe ushtrinë u shpëtuan 39 jetë njerëzish, që kishin mbetur poshtë rrënojave. Më pas, duke  bashkëpunuar edhe me grupet speciale të vendeve mike, u bë i mundur edhe shpëtimi i disa personave të tjerë”, tha zoti Veliu.

Drejtori i Policisë falënderoi punonjësit e policisë për mbledhjen e një shume prej 104  milionë e 350 mijë lekë për të prekurit nga tërmeti.

“Me këtë rast, duke përfituar nga ky komunikim publik, dua të falënderoj një për një, të gjithë punonjësit e Policisë, por edhe familjet e tyre që kontribuuan me vullnet sipas mundësive duke bërë të mundur mbledhjen e shumës 104  milion e 350 mijë lekë, e cila u depozitua ne platformën e-Albania. Mirëkuptoj edhe 2016 punonjësit e Policisë që nuk kanë kontribuuar me vlera monetare, pasi nuk kanë pasur mundësi”, tha Velit.

Veritas.com.al/