Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken pritet të zhvillojë të enjten një vizitë zyrtare në Tiranë. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller u shpreh se vizita e Blinken, e para që zhvillon në Tiranë, riafirmon marrëdhëniet e forta mes dy vendeve.

Ai e konsideroi vendin tonë si një partner kyç në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, si dhe një zë të fortë në mbrojtjen e sovranitetit dhe lirisë së Ukrainës kundër agresionit brutal të Rusisë të nisur dy vite më parë.

“Sekretari Blinken do të niset nesër për të udhëtuar drejt Tiranës së Shqipërisë dhe Mynihut të Gjermanisë. Ky do të jetë udhëtimi i parë i Sekretarit në Shqipëri dhe gjatë qëndrimit atje, ai do të riafirmojë fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë. Shqipëria ka qenë një zë i fortë në mbështetje të mbrojtjes së Ukrainës të sovranitetit dhe lirisë së saj kundër agresionit brutal të Rusisë. Shqipëria ishte një udhëheqëse parimore gjatë mandatit të saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe si Kryetare e OSBE-së për vitin 2020, dhe është një partner kyç për stabilitetin dhe përparimin në Ballkanin Perëndimor.

Sekretari më pas do të udhëtojë në Konferencën e Sigurisë në Mynih si pjesë e delegacionit të kryesuar nga Zëvendës Presidenti Harris. Ndërsa në Mynih, Sekretari Blinken do të zhvillojë takime dypalëshe me liderë globalë dhe do të nënvizojë rëndësinë e angazhimit të qëndrueshëm të SHBA-së ndaj Aleancës së NATO-s. Aleanca e NATO-s ka siguruar një paqe historike si për Shtetet e Bashkuara ashtu edhe për Evropën për 75 vitet e fundit dhe po i ndihmon Shtetet e Bashkuara të ruajnë një avantazh ndaj kundërshtarëve tanë për të ardhmen.”, theksoi mes të tjerash Miller.

Fokusi i vizitës së Blinken pritet të jetë e ardhmja e Shqipërisë dhe e ardhmja e Ballkanit Perëndimor. Blinken do të takohet me kryeministrin Edi Rama si edhe me presidentin Bajram Begaj. Diplomati amerikan pritet të zhvillojë një takim edhe me të rinjtë tek Piramida./abcnews.al