Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas apelit qesharak të Sali Berishës, i cili u bëri thirrje fëmijëve që të mos shkojnë por të mbrojnë mbylljen e TikTok. Rama e ka ironizuar këtë deklaratë me një video të bufit të kënetës, që në sfond ka fjalimin e Berishës ku u bën thirrje nxnësve të bojkotojnë mësimin.

“Ju keni të drejtë të filloni grevat dhe greva juaj është të bojkotoni mësimet. Që ditën e hënë për shembull orën e parë, do të ishte gjë madhështore që të mungoni sa më shumë. Kjo është normale. U bëj thirrje prindërve të mos i dërgojnë ditën e hënë fëmijët e tyre në shkollë fëmijët të paktën orën e parë”, tha Berisha.

Një reagim për këtë çështje e pati edhe deputeti i PS, Erion Braçe i cili tha se duhet të kesh probleme mendore t’i thuash një fëmijë mos mëso, mos shko në shkollë se të kanë mbyllur TikTok.

Qeveria shqiptare vendosi mbylljen e Tik-Tok për një vit dhe ndalimi i aksesit në këtë platformë do të nisë brenda pak ditësh. Vendimi për ta mbyllur tha kryeministri Rama erdhi në konsultim me 65 mijë prindër dhe mësues. Kjo lëvizje erdhi pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani me thikë nga një bashkëmoshatar i tyre, pas një sherri të nisur në rrjetet sociale.