Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja të shitjes me shumicë dhe pakicë për naftën dhe benzinën, pas shpalljes së situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve.
Në mbledhjen e zhvilluar më 19 shtator 2026, Bordi vendosi që çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin të jetë 219 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë të jetë jo më shumë se 207 lekë për litër.
Për benzinën, çmimi maksimal i shitjes me pakicë është përcaktuar në 195 lekë për litër, ndërsa ai i shitjes me shumicë në 183 lekë për litër.
Çmimet e reja hyjnë në fuqi sot, 19 shtator, në orën 16:00 dhe do të jenë në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, kur do të rishikohen në varësi të ecurisë së çmimeve.
Bordi ka tërhequr vëmendjen e operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë për detyrimin që kanë për zbatimin e çmimeve të përcaktuara.
Në rast të konstatimit të shkeljeve, ndaj operatorëve mund të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Vendimi vjen në zbatim të masave të ndërmarra nga qeveria pas shpalljes së situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kanë deklaruar se synojnë mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe ruajtjen e konkurrencës së ndershme në treg.
Komente