Diplomatët iranianë boshatisën ambasadën e Iranit në Tiranë dhe po largohen nga vendi, me kërkesë të qeverisë shqiptare, që njoftoi prishjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin.
Një makinë “Benz” u largua këtë mëngjes nga ambasada e Iranit, e mbushur me sende personale në sediljet e pasagjerëve. Të tjerë punonjës u larguan në këmbë.
Godina është rrethuar me shiritin policor dhe forcat blu vazhduan me procedurat e kontrollin në seli. Forca të shumta policie dhe RENEA pritën mesditën, kur mbaronte afati i lënë nga qeveria për largimin e diplomatëve iranianë, për të hyrë në godinën e ambasadës iraniane. Ky moment ka tërhequr vëmendjen e medieve vendase dhe të huaja, që kanë ndjekur hap pas hapi boshatisjen e godinës.