Frrok Çupi/

Ishte lëvizje sizmike kjo që ndodhi në Amerikë dhe po përhapet kudo e deri te ne.  Donald Trump, njeriu pa parti, i vetëm, me “të gjithë kundër”, një “person- popull” si populli, fitoi zgjedhjet. Tani është Presidenti i Botës- po të përdor zhargonin e të përditshmes. Askush nuk e priste- thonë…

I pari që e ndjeu “valën” sizmike qe Wolfgang Schaeuble, ministri i Financave i Gjermanisë. As mund të kuptohej se lëvizja Trump të kapej nga dikush tjetër para  gjermanit Schaeuble. I stra-rrahur në lëkundje politike, ministër i kancelarit Kohl, shef dhe vartës i Merkel, i mallkuar nga bota financiare, i plagosur me armë zjarri kur ishte ministër dhe i vënë në karrocë me rrota- si akt apokaliptik për të vënë Evropën në vrapim financiar!… Kush tjetër do ta ndiente “therjen e plagës” ?! Wolfgang Schaeuble është politikani i parë evropian që u bëri thirrje kolegëve në Europë, madje zgjoi nga gjumi edhe vetë zonjën Merkel: “Hej, ndryshimi po ndodh!”. Mediat transmetuan menjëherë bisedën alarmante të gjermanit me të tijtë dhe të tjerët rrotull. Ai e lidhi “alarmin” me populizmin,- një nocion i pakuptimtë tashmë. “Europa po rrezikohet nga populistët”,  tha Schaeuble, por në fakt kishte kuptimin “bëhuni gati, po ndryshojmë!”.

Në fund të fundit Bota u zgjua. Si ata që tremben nga ndryshimi, si ata që e mirëpresin ndryshimin- të gjithë u zgjuan. Vetë Gjermania, supërshteti evropian, bëhet gati për zgjedhje të reja, në shtator. Kancelarja Merkel, prej kohësh ndodhet në mëdyshje “të kandidoj a të mos kandidoj” për herë të katërt. Në dy testime në zgjedhje lokale, Merkel është mundur nga një parti e re e krijuar vetëm para katër vjetësh, AfD.  Deri në shtator nuk i dihet. Zëvendës presidenti i AfD, Alexandër Gauland iu bëri thirrje të gjithë politikanëve, “pavarësisht në cilën parti” militojnë, të “moderohen” dhe të kenë “mençuri”, sipas modelit në Amerikë.

Elita politike Evropiane, veç pas së Mërkurës së fitores Trump teksa u zgjua pasi televizionet e tyre kishin përfunduar lajmet, ndodhet e tëra në ankth. Po dalin ose nga gjumi, ose nga “këneta”. Një nga sloganet në fushatën presidenciale të Trump ishte “të thajmë kënetën”.

Para katër muajsh Britania e Madhe dha sinjalin e parë të “tharjes”, por nuk e besuan se ishte i vërtetë. Mes Brexit dhe “Trump-xit” ka një lidhje si biblike: Brexit-in nuk e besuan, as Trumpin nuk e besuan. Në të dy anët e fshehën të vërtetën. 9 Nëntori në Amerikë dhe 24 Qershori në Angli u tha se ishin “sizmike”, dhe ishin të tilla  sepse elitat e kishin fshehur goditjen nën tokë.

Ka akoma shumë valë të fshehura, por të paktën bota u zgjua. Në shtetin më të vogël zgjimi ndjehet si në kontinent. Në Islandë, për shembull, po fiton zgjedhjet një Partie re që ka për kauzë “tërheqjen e parave të vjedhura” dhe lirimin e Assange e të Edward Snowden; parulla që tregojnë thjesht përse duhet të jenë. Nuk e di pse ne në Shqipëri mendojmë se jemi të vegjël e “le të na mbysin” në kënetë!? Në shtetet e vogla të Ballkanit nuk flet askush. Këtu presin për në fund.. Kryeministri më “selfish” i Ballkanit,  Edi Rama, që kishte thënë se “po të fitojë Trump do të prish marrëdhëniet me Amerikën”, pas të Mërkurës mori valixhen me piktura dhe u nis në Amerikë, me shpresë për një servilizëm të vogël.  Edhe ky u zgjua. Është psikologjike: Secili i largohet kënetës që ka krijuar vetë, siç bëjnë qeniet e serta që i largohen jashtëqitjes së tyre.

Kudo në Evropë pritet dalje nga këneta. Përveç Gjermanisë, tani afër ka zgjedhje Franca, Austria, Italia… Veç pas të Mërkurës në Francë kanë nisur të flasin hapur se “do të votojmë për “Marine Le Pen”. Vetë kryeministri francez, një ditë pas të Mërkurës, nisi të thotë hapur se “po fitojnë populistët e Marine…”. Edhe në Austri priten zgjedhje presidenciale; studiuesit thonë se modeli Trump i jep fitore kandidatit “populist”. Tani nocioni “populist”, kaq i mallkuar nga elitat tradicionale por edhe i përdorur prej tyre, po merr kuptimin më të lartë “popull”. Paska dy lokacione veç e veç: Njëri- populli, tjetri “ujërat e ndenjura”, që i bie të jenë elitat. Fakti që nuk kishin kuptuar asgjë çfarë po ndodh në sizmologjinë e tokësorit “popull”, do të thotë se elitat ishin vetë-izoluar; nuk njihnin as terrenin e Republikës, as gjënë e thjeshtë që po ndodh.

Në Amerikën e Trump-it nuk ndodhi gjë më shumë se e thjeshta: Njerëzit hodhën poshtë elitat e korruptuara dhe votuan një njeri;  me defekte, por “si ne të tjerët!”. Njerëzit vendosën ta bëjnë vetë ndryshimin, jashtë elitës politike.

Shpesh bëjnë sikur nuk e kuptojnë as më të thjeshtën. Si mundën ta bëjnë këtë revolucion amerikanët? – pyesin.  Pyetje e frikshme, që vërtitet prej dekadash nëpër Evropë. Amerika e eksplorimeve të mëdha, padyshim që është një realitet. Por Evropa e qytetërimit dhe e burrave të mëdhenj, pse do të binte në këtë “batak”?

Qeveritë evropiane nuk kanë më fuqi as t’u bëjnë thirrje popujve të tyre; edhe sikur- askush nuk do të dëgjonte. A nuk iu kujtohet, një gjë e vogël? Më 18 Tetor, kur luftanijet Ruse lëvizën nga Kaliningradi dhe iu drejtuan Mesdheut, u duk sikur u zgjua NATO. Në fakt as këtë herë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s kërkoi 4000 forca nga qeveritë evropiane; i kërkoi si duke u lutur: “Ju vetë dhatë fjalën…”, tha. Pastaj ngriti stekën: “Na sillni forca- tha- që të sfidojmë Trump-in që na ka sharë NATO-n”. Domethënë, elita e luftës ishte në gjumë, nuk dinte çfarë po ndodhte. Kontinenti që krijoji historinë e Botës dhe për 400 vjet udhëhoqi vlerat e saj, tani mban elita politike që neveriten nga popujt.

A do t’i mbajë më? Kjo është sizmologjia Trump: Bota u zgjua!

/Veritas.com.al/