Pas dorëheqjes së Elvis Rroshit, zgjedhjet për kryetarin e ri të Bashkisë së Kavajës do të zhvillohen jo më vonë se data 15 korrik.
Afatet përcaktohen në Kodin Zgjedhor, i cili i jep Presidentit të Republikës 48 orë kohë për shpalljen e datës në të cilën kavajasit do të thërriten në kutitë e votimit.
Bujar Nishani ka 48 orë kohë për të shpallur datën e zgjedhjeve për kryetarin e ri të Bashkisë së Kavajës, nga momenti që Këshilli i Ministrave i komunikon zyrtarisht Presidencës ndërprerjen e mandatit të qytetarit të parë, pas dorëheqjes nga detyra të Elvis Rroshit.
Të gjitha afatet janë të përcaktura në Nenin 10 të Kodit Zgjedhor, që flet për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore. Pika 3 e këtij neni sanksionon se “zgjedhjet mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit”. Përkthyer në kalendar, duket se zgjedhjet për të pasardhësin e Elvis Rroshit duhet të zhvillohen brenda datës 15 korrik.
Në rastet e një organi të shpërndarë apo të shkarkuar, Presidenti mund të presë përfundimit e afatit 15 ditor që të parët kanë për të ankimuar vendimin. Por duket e vështirë që kjo të ndodhë në rastin e Elvis Rroshit që u largua me dëshirën e tij nga detyra duke e vetëdorëzuar mandatin.
Nga ana tjetër, kjo ka ndodhur me kryebashkiakun e shkarkuar të Dibrës, Shukri Xhelili, i cili ka ankimuar vendimin e Këshillit të Ministrave që e largoi nga detyra, pa pëlqimin e tij, pas përfshirjes në një skandal seksual ku ofronte vende pune në këmbim të marrëdhënieve intime. Në momentin që Gjykata Kushtetuese do të shprehet mbi rastin e Xhelilit, është përsëri neni 10 i Kodit Zgjedhor që sanksionon të njëjtat afate për Presidentin e Republikës, të cilit do t’i duhet të caktojë datën e zgjedhjeve për dibranët brenda 48 orësh nga vendimi i togave të zeza.