Në orët e para të mëngjesit Policia e Shtetit deklaroi për mediat, përmes një entuziazmi të papërmbajtur, se brenda dy ditësh kishte “asgjesuar 40 mijë rrënjë kanabis sativa” të kultivuar në brigjet e lumit Vjosë në Jug të vendit; vendi i quajtur ‘Ura e Poçemit’.

Në aksion morën pjesë FNSH, RENEA, Guarda di Finanza e Policia e Vlorës. I pranishëm ka qenë edhe zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Altin Qato, i cili deklaroi dje për gazetarët nga vendi ku po kryhej asgjësimi i kanabisit, se ishin arrestuar 8 persona.

“Për momentin kemi kapur 8 autorë të dyshuar të këtij aktiviteti që u kapën brenda perimetrit të kësaj zone të cilën e kemi evidentuar si zonë që kultivohet bimë narkotike”, tha ndër të tjera Qato.

Por pas pak orësh, Policia e Shtetit shpëndan një deklaratë, përmes site-ve të saj, duke thënë se “janë arrestuar 4 persona” kultivues të kanabis sativa të asgjësuar në brigjet e Vjosës.

Të arrestuarit janë Sokol Lelaj 23 vjeç, Altin Lelaj 24 vjeç, Hamet Bital 21 vjeç dhe Nexhim Lamaj- thuhet në njoftim.

Nga mëngjesi deri në mesditë, “humbën” katër kultivues të drogës. Në mëngjes ishin tetë, në mesditë- katër.

Prej kohësh mediat dhe partitë politike në Opozitë po denoncojnë me prova se Policia e Shtetit është bashkëpunëtore në kultivimin e drogës në vend’ Gjithashtu janë denoncuar qindra prova se “ata që kultivojnë drogë së bashku me policinë”, nuk kapen, ndërsa ata që nuk paguajnë për krimin, shpallen dhe  dënohen.

Në këtë rast gjysma e kultivuesve “humbën” nga listat e Policisë.

(Veritas.com.al)