Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e dytë të 2016-s, fluksi dalës nga të ardhurat nga investimet ishte 55 milionë euro, nga të cilat 40 milionë euro janë në formën e pagesave të dividendëve dhe të fitimit të riinvestuar dhe 15 milionë euro në formën e pagesave të interesave.

Kështu raporton revista “Monitor”, duke iu referuar raportit nga Banka e Shqipërisë.

Edhe pse ekonomia duket se po kalon kohë të vështirë, me konsumin e tkurrur dhe rritjen e ngadaltë kompanitë e huaja po ia dalin të rezultojnë me fitime të larta, që i transferojnë te mëmat jashtë vendit kryesisht në formën e pagesave të dividendit. Madje në tremujorin e dytë, ata kanë arritur të rrisin transferimin e fitimit, pas një tkurrjeje të ndjeshme në periudhën janar-mars.

Sipas statistikave të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë, të ardhurat dalëse nga investimet (që përfaqësojnë kryesisht pagesën e dividendëve dhe të interesave) ishin 90 milionë euro. Në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, transferimi i fitimit ka rënë me 20%. Megjithatë, kjo performancë rënëse i dedikohet tremujorit të parë të vitit, kur ky tregues ra në 35 milionë euro, nga 69 milionë euro në janar-mars 2015. Në tremujorin e dytë, kompanitë e huaja kanë arritur të transferojnë më shumë fitime, me shifrën që ka arritur në 55 milionë eurp, nga 44 milionë euro në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Bankat dhe dy shoqëritë më të mëdha të telekomunikacioneve (Vodafone dhe Telecom Albania) kanë qenë tradicionalisht kompanitë e huaja me fitime më të larta në vend. Megjithatë, në 2015-n të dy këto segmente kanë parë rënie të fitimeve, bankat për shkak të provigjionimeve të kredive të këqija dhe telekomunikacionet për shkak të maturimit të tregut. Por rënia e fitimeve të tyre duket se po “zëvendësohet” me operatorët e tjerë, kryesisht koncesionarët, që kanë fitime të garantuara. P.sh., në 2015-n, Tirana International Airport, që menaxhon me koncesion Aeroportin e Rinasit, kishte një normë fitimi (para taksave) prej 41%, ndërsa fitimet arritën në rreth 14 milionë euro.

Të dhënat e Shoqatës së Bankave, të raportuara sipas standardeve ndërkombëtare IFRS, tregojnë një rënie të ndjeshme të fitimeve, nga 12.2 miliardë lekë në 2014-n, në 4.9 miliardë lekë në 2015-n.

Gjithsesi, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e bankave kanë raportuar humbje në 2015-n, tre bankat kryesore me kapital të huaj, Raiffeisen, BKT dhe Intesa kanë raportuar së bashku një fitim prej rreth 12.7 miliardë lekësh, apo rreth 90 milionë euro, sipas deklarimeve në bilanc./Sipas Monitor/