Nga: Laert Skiro/

Qënka e thënë që presidentët e republikës sonë, sapo lënë kolltukun e lartë, kthehen dhe “kruhen” me politikën. Të gjithë kanë bërë të njëjtën gjë. Por përveç Dr. Sali Berishës që ndodhet aktiv dhe dominues në politikën e PD, të tjerët kanë dështuar.

Rexhep Meidani dështoi në Kongresin e PS ku kandidoi përballë Ramës për kryetar. U përpoq ta zëvendësojë i biri- por edhe ky u bë shumë i zjarrtë me PD, ‘over’.

Alfred Moisiu, edhe pse në moshë shumë të thyer, pasi la postin e Presidentit, i hyri politikës, por nga sipër. Ai dha mijëra këshilla si për qeverinë edhe për opozitën, shpesh herë edhe e nxehu gjakun; por askush nuk e dëgjoi.

Bamir Topi, një president i krijuar artificialisht, me vota të blera nga radhët e deputetëve socialistë, sapo la postin e lartë, krijoji një parti tjetër “Demokratike”, por aleate me Socislistët. Edhe pse votoi për Edi Ramën, ky nuk ‘ia fërshelleu’ më; partia e tij ka mbetur në një rrënzë. Tani, siç thonë, as pjesëtarët e familjes së tij nuk e votojnë. Madje as miku i tij i ngushtë i vegjëlisë, Gimi i Dires.

Erdhi momenti kur Bujar Nishani, një oficer i Ushtrisë shqiptare mori kulturë politike gjatë presidencës, dhe pritet ta ushtrojë. Është betuar se do të merret me politikë. Deri tani ka bërë vetëm deklarata dhe është pozicionuar për të mbrojtur kryetarin e PD, Basha, edhe kundër parimeve të Demokracisë. Kur të gjithë po e lënë ‘anijen’ e Bashës, ish presidenti mbahet fort te direkët e saj.

Ish-Presidenti Bujar Nishani i ftuar në studion e Eni Vasilit në News 24, të hënën ka folur për hyrjen e tij në politikë aktive.

“Unë e kam vendin në politikë, nuk mund t’i shmangem përsa kohë që në gjithë këtë karrierë të gjatë jam motivuar dhe jam rritur, maturuar duke qenë pjesë.”-është shprehur Nishani.

Nishani ka deklaruar me përulje të thellë se: “Nuk kam për ta rivalizuar asnjëherë zotin Basha asnjëherë. Mbajeni të regjistruar”-tha Nishani.

Me këtë përulje, me siguri, ish- presidenti i fundit mund të bëhet diçka në parti, por jo politikan i vlefshëm.

Veritas.com.al/