Ashtu siç kërkoi prokuroria, gjyqtarja e çështjes ka lënë në burg 11 prej të arrestuarve me akuzën për “shkatërrim prone” dhe “kundërshtim të punonjësve të policisë”. 12 të tjerëve u është dhënë masa “detyrim paraqitje” dhe “arrest shtëpie”.
Vendimi është pritur me kundërshtime nga protestuesit e shumtë që ishin jashtë gjykatës. Deputeti i PD-së, Edmond Spaho deklaroi se vendimi i sotëm ishte “një turp dhe shkelje e të drejtave të njeriut”.
Ai tha se sot mazhoranca provoi se ka vënë në kontroll edhe gjykatat, pas Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit. “Më 31 mars bazuar gjoja në prova, dhe provat janë verifikuar nga prokurori në datën 1 prill, më pas janë mbajtur në mënyrë të paligjshme për më shumë se 12 orë, por gjykatësja dha vendimin që i ka kërkuar Edi Rama, i cili pasi ka kapur ekzekutivin, ekonominë, buxhetin e shqiptarëve, pasi kapi dhe prokurorinë, sot kapi dhe gjykatën. E vetmja zgjidhje për qytetarët shqiptarë është mosbindja civile. Ky regjim i narkotrafikantëve përballet vetëm me qëndresë qytetare. Prandaj i bëj thirrje të gjithë qytetarëve ti bashkohen opozitës, të gjithë atyre që nuk duan stabilitet të krimit të organizuar, por demokraci që sot nuk e gjen në vendin tonë”, tha Spaho.
Ndërkohë që qyetarët thërrisnin: “Turp, turp. Lërini të lirë!”.
Protesta e qytetarëve dhe familjarëve të të arrestuarve ka vijuar dhe pas vendimit. Ndërkohë deputetët e opozitës janë larguar për të zhvilluar një mbledhje urgjente dhe për të dalë me një vendim politik.
Veritas.com.al/