Lodhja në punë prek nga 5 deri në 10 % të popullsisë. Nga se vjen? Cilat janë shenjat paraprake? Si t’i parandalojmë?
Burn-out: një term “thes” burim konfuzioni
Përdorimi me tepri i këtij koncepti çon në ngatërrimin e dëshpërimit me lodhjen dhe patologjinë emocionale, ndërkohë që vetëm kjo e fundit e përligj trajtimin mjekësor.
“Shtrirja e termit burn-out është një burim konfuzioni për arsye të kufijve të papërcaktuara të këtij realiteti.” Me këtë frazë e nis Akademia kombëtare franceze e mjekësisë raportin e saj mbi këtë sëmundje që po zë gjithnjë e më shumë vend në shoqërinë tonë. Për raportuesit e këtij studimi, profesori Jean-Pierre Olié dhe doktori Patrick Légeron, të dy psikiatër, “simptomatologjia e saj përgrupon shumë dimensione: lodhje emocionale, depersonalizim, rënie të përmbushjes personale”. Kësaj i duhet shtuar fakti se ky problem mund të lidhet edhe me një çrregullim përshtatjeje, me një gjendje stresi post-traumatik, me një gjendje depresive, ose të tregojë një çrregullim të “thjeshtë” psikologjik. Pra, realisht një thes.
E megjithatë, termi burn-out nuk citohet në asnjë prej klasifikimeve aktuale të çrregullimeve mendore. Ai mungon konkretisht në dy nomenklaturat e mëdha ndërkombëtare të referencave, në DSM (Manuali diagnostic dhe statistik i çrregullimeve mendore) e American Psychiatric Association dhe në CIM (Klasifikimi ndërkombëtar i sëmundjeve) e Organizatës botërore të shëndetit. Në DSM-në e fundit, ai nuk figuron madje as ndër patologjitë që mund të hyjnë në botimin e ardhshëm. Në planin klinik, simptomatologjia dhe dimensionet e tij “futen pjesërisht në çrregullimet depresive dhe në çrregullimet e përshtatjes”, saktëson raporti.
Domosdoshmëria e thjeshtëzimit
Sa për konceptin “vuajtje në punë”, ai përmbledh tërësinë e impakteve negative të mjediseve profesionale mbi individin. Por ky togfjalësh përdoret kryesisht në Francë. Botimet shkencore anglo-saksone e trajtojnë pak “work-related suffering”. Në kapitullin e shëndetit mendor, OBSH dallon tre nivele të ndryshme: mirëqenien psikologjike, depresionin psikologjik dhe çrregullimet mendore. Raportuesit shkruajnë pra: “Çdo simptomë ankthioze nuk mund të konsiderohet si tregues i një çrregullimi ankthsioz, çdo trishtim si tregues i një depresioni të karakterizuar. Dhe çdo lodhje apo ezauriment nuk mund të konsiderohet si patologjike. Depresioni psikologjik mund të shkaktohet nga ngjarje të jetës negative: ai duhet sigurisht të merret parasysh.”
Duhet vërtet të thjeshtëzohen gjërat. Dhe konkluzioni i Akademisë franceze duket se është më pranë realitetit: termi burn-out “nuk mund të jetë aktualisht një diagnostik mjeksor. Përdorimi i gjerë i tij çon në ngatërrimin e ezaurimit (apo lodhjes) me patologjinë emocionale: vetëm kjo e fundit e përligj trajtimin mjekësor, dhe ka dhënë prova për efikasitetin e tij në kuadrin e përcaktuar nozografik.” Eshtë pra e domosdoshme të përcaktohen kritere të sakta për identifikimin e mekanizmave që e shkaktojnë. “Një prioritet u duhet dhënë sëmundjeve të ashtuquajtura të shoqërisë (komplikacione somatike dhe psiqike të stresit) në programet e formimit të studentëve të mjekësisë dhe në programet e zhvillimit profesional të vazhdueshëm të personelit shëndetësor”.
Burn-out: si të shërohemi
Të dalësh nga kjo sindromë e ezaurimit në punë duke shmangur mjekimin e tepruar dhe interpretimin e tepruar psikologjik, është e mundur. Këshilla.
Të shërohesh nga ezaurimenti në punë është fatmirësisht e mundur. Por kujdes: ekzistojnë dhe reklamohen pafundësisht trajtime abuzive, sajesa, alternative, të shtrenjta, të pavërtetuara, që shkojnë nga meditimi transcendental tek vajrat esencialë, bimët apo elektroshoket.
Për të rimarrë veten, i sëmuri duhet të ndihmohet në planin profesional si edhe në jetën personale me qëllim që ta pranojë idenë që “murit me kokë nuk i bihet” dhe të arrijë “të kthehet në realitet”. E para masë që duhet marrë është ndërprerja e punës dhe ndjekja nga mjeku personal apo mjeku i punës me raport mjeksor. Qëllimi është thjesht pushimi dhe rimarrja e vetes duke u rilaksuar, duke bërë – pa u sforcuar – sport apo çdolloj aktiviteti tjetër qetësues dhe të pëlqyeshëm. Një pushim nga dy deri tre muaj mund të jetë i nevojshëm.
Ndjekja e një psikoterapie, për shembull një nga terapitë e rekomanduara është ajo komportamentale dhe konjitive. Botime të ndryshme shkencore japin prova të efikasitetit relativ të këtyre dy terapive, ndonëse afatshkurtra prandaj edhe duhen përsëritur vazhdimisht. Normalisht, mund të shoqërohen me një kurë me antidepresivë, mundësisht për një kohë sa më të shkurtër. Një burn-out i rëndë shoqërohet me gjasë nga një risk depresiv, madje vetëvrasës, ndjekja terapeutike duhet të bëhet patjetër nga një profesionist i shëndetit i formuar në psikopatologji: mjek i punës, mjek i përgjithshëm, psikiatër apo psikolog klinik.
Të parandalosh rikthimin e sëmundjes
Pas shkëputjes nga puna dhe rigjenerimit vjen përgatitja për rikthimin në punë. Personi viktimë e një burn-out përjeton përgjithësisht frikëra se mos nuk do të tregohet në lartësinë e aftësive të tij të mëparëshme, se mos gjykohet nga kolegët dhe eprorët, e për pasojë mund t’i rikthehet sëmundja. Ndërsa njeriu në konvaleshencë duhet të bëjë “një punë me veten” me synim shërimin dhe gjatë shërimit, të afërmit dhe mjekët duhet ta ndihmojnë dhe të menaxhojnë fazën e ndërmjetme. Shërimi duhet të jetë progresiv, duhet bërë patjetër një vizitë paraprake te mjeku i punës. Parashikohet ndjekja e terapisë me periudha kohore të pjesshme në rritje (30 %, pastaj 50 %, së fundi 70 %).
Janë të domosdoshëm raporti mjekësor – për të punësuarit – dhe kontrolli i sigurisë dhe kushteve të punës nga profesionistë të shëndetit dhe higjienës. Mjedisi profesional duhet të tregohet i kujdesshëm. Këto janë kushtet – jo domosdoshmërisht të thjeshta – për shërimin, duke shmangur rikthimin e sëmundjes sa nga mjekimet me tepri aq edhe nga teprimet e interpretimit psikologjik të marrëdhënieve profesionale e shoqërore.
/Veritas.com.al/