Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) ka lënë në fuqi dënimin e UEFA-s për skuadrën e Skënderbeut, vendim i cili i heq të drejtën korçarëve të luajnë për një vit në kompeticionet europiane.

Lajmi për vendimin e CAS nuk është publikuar ende në faqen e saj, por burime jo zyrtare i thanë citynews se vendimi i është komunikuar ekipit korçar. Nga ana e Skënderbeut, deri tani nuk ka asnjë reagim.

Lidhur me këtë çështje, Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj nuk i përgjigjet në telefon gazetarëve, të cilët kërkojnë detaje nga vendimi i CAS. Presidenti Takaj dhe stafi rezultojnë me telefona të fikur pas vendimit, duke shmangur komunikimin me gazetarët.

Ndërkohë, përfaqësuesit e CAS i thanë citynews se çështja është konfidenciale dhe do të duhet edhe pak kohë nga publikimi i tij zyrtar.

Korçarët dënohen me një vit larg kupave të europës për shkak të trukimeve të ndeshjeve. Pas këtij vendimit korçarët nuk do të kenë mundësi të luajnë në Champions League ndaj Ferencvaroshit, e parashikuar për tu luajtur në datën 12 korrik.