Koment/

Sot Presidenti i Republikës ka dalë prapë në një konferencë për media, me një turr dhe fjalor xixa- xixa, që duket se për pak do të ndezin zjarrin.

Por Presidenti ka vetëm sjellje të pa hijshme, ndërsa zjarri mungon. Presidenti ka hyrë në një tunel pa dalje; gjë që ai e di. Sot ka thërritur përsëri për ‘Referendum’.

KLA thënë edhe kështu: ““Unë personalisht, referendumin e shikoj si një mision për veten time dhe në momentin që do i rikthej këtë mundësi popullit të Shqipërisë, do të largohem edhe unë nga politika, bile edhe nga Tirana do të largohem, por jo jashtë shtetit, do të iki për rafting. Do iu pres atje juve të gjithëve. Por, e kam këtë detyrë, e kam këtë mision që popullit shqiptar t’ia kursejmë këtë tallje dhe poshtërim që i bën përditë kjo klasë politike”, deklaroi Meta.

Popullin e pret herë në rafting, herë në qytetin e Studentëve, herë në bjeshkë, herë në Kuvend… Por gjithnjë populli- sipas mendjes së nxehtë të presidentit, është variabël i Metës, një gjë e vogël që transferohet kudo që ta vërë shkopin presidenti i Republikës.

Edhe pse është i shënuar nga Kuvendi për ‘shkarkim’, presidenti i Republikës po bën të pamundurën për të bërë më të pamenduarën. Askujt nuk i ka shkuar mendja se në presidencë banon një burrë që nuk ka as largpamësinë dhe kulturën dhe politesën e një njeriu më të zakonshëm.

Mirëpo vetë presidenti po bën ‘vrap në vendnumëro’. Ai thotë se ‘do të ngrejë popullin në referendum’,  por zotësinë për referendum- sipas Kushtetutës nuk e ka Presidenti. Madje këtë zotësi e ndajnë mes tyre Gjykata Kushtetuese, Kuvendi dhe KQZ.

Zoti President po del përditë e më nervoz para publikut. Prej kohësh ka dalë nga korniza ligjore e postit të tij, por tani gjëja po rrëshqet më keq. Një president si ky është më i pabesueshëm se sa ishte.

Veritas.com.al/