
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një konferencë për mediat ka bërë me dije se KQZ është gjendur disa herë përballë sulmeve kibernetike.
Celibashi bën me dije se sulmet kanë ndodhur gjatë zgjedhjeve dhe në ditët në vijim.
Këto sulme, sipas Celibashit, kanë qenë shumë të organizuara dhe sofistikuara të ardhura nga jashtë territorit shqiptar.
“85 shtete të botës nga çdo kontinent që u regjistruan votuesit nga jashtë. Procesi i përgatitjes së dok zgjedhor nisi më 14 Prill dhe përfunduan më datë 17 Prill. Dërgesat e para u bënë rreth datës 12 dhe në datën 17 pritëm edhe dërgesat e para të votuesve nga jashtë. 29 Prilli dita me numrin më të madh të votave të mbërritura në KQZ. Nuk mund të dërgonin dokumentacion vetëm 16 zgjedhësve në Rusi. Kanë marrë pjesë në votimi 82% e zgjedhësve, dhe nëse e vlerësojmë në raport me numrin e atyre që e kanë marrë shkon gati në 97%.
Platformat e KQZ, nga ajo e regjistrimit, janë gjetur nën sulme kibernetike, kemi komunikuar me institucionet përkatëse si ato të sigurisë kibernetike dhe ato që lidhen me ndjekjen ligjore sa herë janë evidentuar. Nuk kanë qenë sulme diletantësh por të organizuara dhe sofistikuara, jo rastësore, të gjitha nga jashtë. Të krahasueshme me sulme që kanë pasur dhe vende të tjera”, tha Celibashi.
Në daljen e sotme për mediat, kreu i KQZ Ilirjan Celibashi u pyet lidhur me denoncimin që u bë nga selia blu, ku kryedemokrati Sali Berisha paraqiti prova sipas tij që skema e manipulimit me vota, e ashtuquajtur “treni bullgar” është realizuar në Elbasan.
Kryekomisioneri tha se KQZ nuk është në dijeni të kësaj shkelje, por bëri thirrje që denoncimi publik i PD të hetohet nga strukturat ligjzbatuese.
“Nuk kemi dijeni nuk na është bërë me dije, por mund të them pa hezitim që rasti do të duhet të hetohet dhe verifikohet nga organet e procedimit penal. Duhet patjetër për t’i dhënë përgjigje shqetësimit të paraqitur publikisht”, tha Celibashi.
Komente