Nga: Agim Xhafka/

Tek cepi i çatisë së shtëpisë këtu në Amerikë, rri varur një fole dallëndyshesh. E kanë ngjitur poshtë ullukut të ujërave mbërthyer me “gozhdë” balte që mos i lagë shiu,por të mos i prekë as era.

Sa herë hyj e dal nga shtëpia më shkojnë sytë atje. Dhe vetiu më del para vegimesh shtëpia e fëmijërisë sime.

Ja,sa fluturon një zog,them tani ‘po ikën babai’ në punë. Kur vjen një tjetër me ushqim në gojë,them me buzën në gaz,’erdhi nëna’. Ka bërë pazarin e tani do ia nisë lakrorit,eh!, atij lakrori që ende ia ndiej aromën. Nxjerrin kokën të vegjlit sqep-hapur dhe më kujtohet vëllai dhe motra ime. Kur prisnim të vinin prindërit e të luanim me ta deri sa na zinte gjumi mbi kurrizin e babait.

Çerdhja e dallëndyshes është prej kashte,ndërtuar nga zogjtë,me arkitekt baba zogun a nënë dallëndyshen. Është me ngjyrë të butë toke,me formën e grushtit gjysmë të mbledhur që tregon mirësi,ngrohtësi dhe mikpritje.

Qëkur kam qenë i vogël kështu e mendoja shtëpinë tonë. Si një çerdhe që mban brenda plot dashuri e shumë kujdes,që të ngroh e të ruan nga frikërat e ankthet. Dhe prindërit si dallëndyshe i doja e ata ashtu jetuan. Duke fluturuar sa tek puna e sa tek dallgët e jetës që në shtëpi ne të na sillnin sa më shumë dritë e diell.

Çerdhja e zogjve nuk ka numër,as emra,por unë nga larg sikur e lexoj atë pllakëzën e nikeluar që rrinte tek dera :”Familja Alajdin Xhafka. Nr 5″

Duket qartë,më godet në tru ky përafrim. Se ‘çerdhe’ është një fjalë që tregon lindje dhe jetë,rreze dhe ngrohtësi,pasion dhe dhembshuri. Ndaj jam i sigurt ajo që ngjan me familjen time.

Ja,po dëgjoj flatra që rrahin,sapo doli babai,fluturoi lart,lart,ja,po rreh krahët edhe nëna. Me nxitim e me hijeshi. Dallëndyshet janë poezi,pikturë,film. Ma bëjnë ditën më të bukur,më ndjellin ,oh sa mall,më shuajnë brengat e i japin ujë etjes së kujtimeve. O zogj,o engjëj të vegjël, ju bekoj me shpirt, ju dhe fluturimin tuaj…

/Veritas.com.a/