Omicron nuk është i vetmi shqetësim për shëndetin publik këtë fillimvit. Bashkë me variantin e ri, po lakohet në media një tjetër kërcënim, që mban emrin Flurona. Nuk është një variant i ri e as sëmundje e veçantë, por infektim në të njëjtën kohë nga 2 viruse, koronavirusi dhe gripi stinor.
Raste janë identifikuar në disa shtete të botës, përfshirë SHBA, Izrael, Brazil, Filipine, Hungari dhe Maqedoni e Veriut. Kjo e fundit, ka raportuar 4 raste të tilla. Ndërsa çdo ditë e më shumë po evidentohen raste të infeksionit të dyfishtë, ekspertët theksojnë se vaksinat kundër koronavirusit dhe gripit mbeten mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga ndërlikimet e rënda.
Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se të dyja viruset, si koronavirusi ashtu edhe gripi stinor, mund të kenë simptoma të njëjta dhe mund të jenë fatale për njerëzit.
“Të dyja viruset ndajnë simptoma të ngjashme, duke përfshirë kollën, rrjedhje hundësh, dhimbje të fytit, ethe, dhimbje koke dhe lodhje. Njerëzit mund të kenë nivele të ndryshme të sëmundjes si me COVID-19, ashtu edhe me grip. Disa mund të mos kenë simptoma, mund të kenë simptoma të lehta ose të rënda. Si gripi, ashtu edhe COVID-19 mund të jenë fatale”
Organizata Botërore e Shëndetësisë
OBSH-ja thotë se të dyja viruset, si Covid-19, ashtu edhe gripi, përhapen thuajse në mënyrë të njëjtë, kur një person i infektuar kollitet, teshtin, flet, këndon ose merr frymë. Sipas OBSH-së, të gjitha moshat mund të infektohen me virusin Covid-19 dhe virusin e gripit stinor, por më të rrezikuarit janë të moshuarit, njerëzit me sëmundje kronike e ata me imunitet të dobët. Ndërkohë që gratë shtatzëna dhe ato që kanë lindur kohët e fundit, janë në rrezik të lartë për të përjetuar grip dhe Covid-19 të rëndë.