Nga Xhevahir Qardaku

Gëzuar ia bëri me raki, mes ushqimit dhe mizave të paftuara në banket. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, vijon vizitat në pjesë të ndryshme të vendit të tij dhe kërcënon se e ka seriozisht me ndryshimin e rrjedhës së Ibrit.

Ai u tha gazetarëve se ekzistonte dokumentacion paraprak i projektit për këtë dhe se javën e ardhshme do të formohet një grup ekspertësh për t’u marrë me këtë çështje. Vuçiç përmend me përbuzje reagimet e forta nga Shqipëria, Kosova dhe Europa, që të mos e ndërmarrë një veprim të tillë, teksa pretendon se ndryshimi i rrugës së ujit i është kërkuar nga komuna e Novi Pazarit dhe disa organizata nga ai qytet për shkak të ndërtimit të një hidrocentrali të vogël.

“Ata ndoshta fillojnë nga vetja dhe mendojnë se dikush po bën diçka kundër dikujt. Nuk kam asnjë koment për hipokrizinë e europianëve dhe të gjithë të tjerëve. Shpina e Nenad Rashkoviqit është fytyra e Albin Kurtit. Ai nuk ka qenë kurrë i interesuar për dialog”, tha Vuçiç, shkruan A2.

Rashkoviq është një serb i Kosovës, i cili pretendon se është dhunuar nga forcat e Policisë së Kosovës në fshatin Dren të Zubin Potokut. Menjëherë pas rastit, Lista Serbe dhe presidenti Vuçiç kanë nisur një fushatë të përdorimit politik, pavarësisht se autoritetet në Kosovë kanë nisur një hetim lidhur me rastin dhe ende nuk kanë dalë në konkluzione.

“Nuk pashë asgjë qesharake në këtë. Gati sa nuk qava në një moment kur e takova, por kur pashë sa i fortë ishte ky njeri, atëherë u turpërova, kështu që disi e përmbajta veten dhe vazhdova bisedën me të”, tha Vuçiç.

Vuçiç pretendoi se burri nga Kosova kishte disa brinjë të thyera dhe dëmtime të tjera në trup. Ndërkohë, presidenti serb vazhdon dhe një grindje tjetër, atë me Malin e Zi, me qeverinë që i është kundërpërgjigjur akuzave të tij për “tradhëti” me njohjen e Kosovës.

Sipas deklaratës zyrtare, drejtuesit e partisë në pushtet në Podgoricë, e akuzojnë Vuçiçin se po përpiqet të eksportojë krizën e brendshme në Serbi në vendet e tjera të rajonit për të krijuar tensione artificiale me provokime të ndryshme. (A2 Televizion)

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *