Një operacion kontrabande vaksinash i kryer nga dy ministra.
Kështu shkruan italiania “Corriere Della Sera” teksa për shkruan historinë që kryeministri shqiptar, Edi Rama, rrëfeu në Bergamo gjatë fjalimit të tij.
Rama i referohej ministrit të Jashtëm italian, Luigi Di Maio, i cili ishte i pranishëm në universitetin e Bergamos. Kjo shënoi një nga daljet e tij të para publike pas humbjes në zgjedhje.
“Unë jam shqiptaro-italian, Di Maio napolitan-shqiptar, kemi bërë bashkë një operacion kontrabande. Çfarë italiani apo shqiptari jeni nëse jeni gjithmonë në përputhje me ligjin?”, pyeti kryeministri.
Kështu ai rikujtoi periudhën e COVID-19, kur Shqipëria pësoi një goditje të fortë.
“E pyeta Luigin,nëse mund të na japësh doza të paktën për mjekë dhe infermierë? Pfizer kishte një kontratë shumë kapitaliste me qeveritë”, tha Rama duke shtuar se kontrata theksonte se “unë ju jap vaksinat, por ju nuk mund t’ia jepni askujt”.
Ministri italian i ishte përgjigjur kryeministrit shqiptar se kjo do të ishte një gjë shumë serioze.
“Por ne e bëmë këtë me shërbimet sekrete: dy ministra që i kalonin mallrat kontrabandë njëri-tjetrit për të shpëtuar njerëzit. Më pas nuk mund t’i fshihnim vaksinat, duhej t’i administronim edhe ato. Avokatët e Pfizer kërcënonin me padi dhe donin të dinin se si i morëm ato, por ne thjesht thoshim: nga një vend mik”.
Kështu Rama zbuloi edhe vendin mik për të cilin shpesh pati thënë se i ka dhuruar vaksina Shqipërisë.
Kryeministri në fjalimin e tij u kujdes që të qetësoj më në fund edhe Di Maion duke i thënë se “Luigi, tani je njeri i lirë”.
Numri një i Qeverisë foli për situatën politike shqiptare dhe marrëdhënien e tij me Italinë që në ditët e diktaturës, kur të rinj si ai shkuan në Vlorë jo për shijuar detin, por për të ndjekur programet televizive italiane.
Nga aty ai u shpreh se nuk mendon se do të ketë probleme me qeverinë e ardhshme italiane.
“Nuk kemi pasur kurrë probleme në të kaluarën me asnjë lloj qeverie, si me të majtën ashtu edhe me të djathtën, sepse ne i përkasim të njëjtës histori”.