Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH) në raportin e tij të fundit për vitin 2021 shpjegon se si funksionon veprimtaria e prodhimit të Bitcoin-it në Shqipëri dhe rolin e kriptomonedhave në veprimtaritë kriminale.

Sipas SHISH, veprimtaria e brokerimit të palicencuar apo të ushtruar në informalitet nga operatorë ekonomikë, shfaqet në ndërmjetësimin dhe investimet në bursa jashtë shtetit, në kriptomonedha dhe metale të çmuara, duke e kamufluar veprimtarinë pas aktiviteteve të tipit “call center”.

Gjithashtu, aktorët e përfshirë në këtë formë paligjshmërie kanë krijuar edhe ambient të përshtatshëm për prodhimin e kriptomonedhës në informalitet.

“Në vendin tonë prodhohet Bitcoin, nga subjekte të palicensuara për këtë aktivitet”.

SHISH shkruan se për këtë merren objekte me qira, afër vendeve ku mundësia për të abuzuar apo vjedhur energjinë elektrike është më e lartë, por ka edhe raste ku ndërhyhet në matësit elektrikë.

Aktiviteti zhvillohet në informalitet edhe pse ka hyrë në fuqi legjislacioni përkatës.

Ky i fundit përfshin rregullimin e kushteve të licencimit, ushtrimin dhe mbikëqyrjen e aktivitetit të operatorëve dhe bursave, tregtimin e monedhave virtuale dhe parandalimin e praktikave abuzuese në treg, në vendin tonë.

“Përdorimi i parasë virtuale sjell një sërë përfitimesh dhe lehtësirash të mundshme. Kjo me gjasa rrit rrezikun e pastrimit të parave, financimin e terrorizmit apo vepra të tjera gjeneruese të ardhurash kriminale”.

Sipas këtij institucioni, korrupsioni dhe krimet në ekonomi mbeten fenomene shqetësuese që cenojnë barazinë ekonomike mes shtetasve dhe sundimin e ligjit.

Në këtë fushë ndërveprues janë edhe shtetas të huaj, të përfshirë në krimin e organizuar ndërkombëtar.