Rreziku maksimal që vinte nga zjarri i paparë në pyllin e Shëngjinit, tashmë duket se është ulur. 200 forca kanë punuar gjithë natën kundër flakëve. Edhe pak shi ka rënë gjatë natës në atë zonë.

Këto kanë bërë që zjarri të vihet nën kontroll në Shëngjin, por akoma nuk është shuar plotësisht. Zjarri në Shëngjin dyshohet të jetë vënë qëllimisht. Burime nga policia bëjnë me dije se janë arrestuar dy persona.

Forcat zjarrfikëse por dhe forcat e ushtrisë po punojnë për shuarjen e vatrave të zjarrit që janë akoma aktive në një terren mjaft të vështirë dhe të rrezikshëm.

Deri tani kanë shpërthyer 11 granata duke rrezikuar kështu edhe punonjësit që kanë qenë duke punuar për shuarjen e flakëve.

Retë e tymit kanë mbuluar pjesën më të madhe të Shëngjinit gjë e cila ka bërë që pushuesit të nisin dhe të largohen.

Policia e Lezhës ka arrestuar autorët e dyshuar të vënies së zjarrit në Malin e Shëngjinit. Sipas uniformave blu, në pranga kanë rënë shtetasit M. I. dhe A. U., të cilët i kanë vënë zjarrin malit me qëllime përfitimi nga lëndët drusore dhe hapje kullotash për bagëti.

VERITAS.COM.AL/