Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të takohen sot në Ohër, në takimin e radhës në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”.

 Në 7 dhe 8 qershor, pritet të nënshkruhet edhe marrëveshje për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, si dhe memorandume për bashkëpunim kulturor dhe në fushën e turizmit.

Në asnjërën prej katër dokumenteve të planifikuara nuk përmendet zgjerimi, por u drejtohet ftesa shteteve te tjera të interesuara të bashkëpunojnë në të ardhmen.

Në samitin e Ohrit për herë të parë do të marrë pjesë edhe përfaqësuesi i Malit të Zi, kryeministri Dritan Abazoviç. Ai është kritikuar nga një pjesë e publikut në vendin e tij për shkak se nuk e përjashton mundësinë e anëtarësimit të Malit të Zi në “Ballkanin e Hapur”, një nismë e nisur në vitin 2019, e cila deri më sot, pavarësisht se ka mbështetjen e BE-së, si dhe të administratës së mëparshme dhe asaj aktuale të SHBA-së, nuk arriti të zgjerohej.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka refuzuar ftesën e kryeministri të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski për të marrë pjesë në nismën Ballkani i Hapur

Tre nismëtarët, Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, Aleksander Vuçiç, presidenti i Serbisë dhe Zoran Zaev, ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, e ideuan këtë koncept me qëllim të krijimit të një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.

Radio Evropa e Lirë raportoi pak ditë më parë se ne tekstin e Marrëveshjes në fushën e njohjes reciproke të diplomave, iniciativa mbron përshpejtimin e procedurave për njohjen e diplomave të arsimit të lartë ndërmjet Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Marrëveshja me shtatë nene i referohet kualifikimeve të nivelit e pestë (arsimi i lartë), si dhe niveleve gjashtë deri në tetë të Kornizës Evropiane të Kualifikimeve (nga njohuritë dhe aftësitë e arsimit të avancuar në atë të lartë).

Është specifikuar që diplomat me vulën apostile të institucionit kompetent i nënshtrohen njohjes së drejtpërdrejtë. Vula apostile është një shenjë e legalizimit të dokumenteve të përdorura në korrespondencën juridike ndërkombëtare.

Nëse paraqitet dyshimi për vërtetësinë e diplomës, parashikohet mundësia që përmes rrugës elektronike të kërkohet vërtetimi nga institucioni që e ka lëshuar atë. Afati për përgjigje nga ajo adresë është 14 ditë, ndërsa për përfundimin e plotë të procesit të njohjes, 20 ditë.

Specifikohet se diplomat në Shqipëri do të njihen nga Qendra për shërbime arsimore në Ministrinë e Arsimit, në Serbi nga Agjencia për kualifikime për njohje profesionale, si dhe në Maqedoninë e Veriut nga Njësia për njohjen e diplomave profesionale e Ministrisë së Arsimit.

Tri anëtaret e “Ballkanit të Hapur”, ftojnë edhe me këtë rast vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen Marrëveshjes.

Në Memorandumin e mirëkuptimit në fushën e turizmit në Ballkanin Perëndimor, i cili gjithashtu duhet të nënshkruhet në Ohër dhe në të cilin Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje, parasheh formimin e një harte turistike të quajtur “Ballkani i Hapur”.

Shtetet nënshkruese janë të detyruara të inkurajojnë kontaktet ndërmjet organizatave të tyre turistike dhe punëtorëve, si dhe parashikohet krijimi i grupeve të posaçme të punës për këtë fushë.

“Duke formuar grupe të posaçme pune, palët kontraktuese marrin përsipër të identifikojnë kuadrin ligjor në fushën e turizmit, si dhe të nisin përpjekjet për harmonizimin e ligjeve të tyre në mënyrë që të përshtaten reciprokisht me sistemin e operatorëve turistikë”, specifikohet në njërin prej tetë neneve në Memorandum.

Gjithashtu, nënshkruesit theksojnë se do të përpiqen të shkëmbejnë informacione për legjislacionin e tyre në fushën e mbrojtjes së burimeve natyrore dhe ruajtjes së trashëgimisë historike dhe kulturore, të cilat janë atraksione turistike.

“Palët kontraktuese, në përputhje me ligjet e tyre të brendshme, do të nxisin krijimin e kushteve të favorshme për tërheqjen e investimeve në industrinë e turizmit”, thuhet gjithashtu.

Si element marrëveshjeje mes të tre palëve në fushën e turizmit, saktësohet se zgjerimi i turizmit detar, lumor dhe liqenor mund të konsiderohet si “portë e turizmit rajonal”.