Nga Frrok Çupi/

Teherani ka një lidhje me Tiranën për shkak të etimologjisë së emrit- thonë historianët diletantë: Tiranë ose Teheran. Por nuk ka ndonjë lidhje tjetër, përveç strehës së iranianëve ‘jahidistë’ në vendin tonë. Edhe një thirrje që është bërë në Tiranë se së shpejti nisin protestat anti-qeveritare; që sapo kanë nisur në gjithë Iranin.

Këtu, në Tiranë, sigurisht, veç se lëshohen mburrje lart e poshtë se ‘në janar’ do të nisin protestat anti- qeveritare. ‘Në Janar’, por pse jo tani?- pyesin njerëzit, duke korrigjuar deklaratat e pasinqerta të opozitës që ka shpallur ‘protesta’. Ndërsa në Teheran kanë nisur ‘papritur’ në atë moment kur natyrshëm shpërtheu protesta. Ishte data 28 dhjetor, asnjë lloj date e para-shënuar…

Ç’lidhje ka mes motivit të protestave që kanë nisur në Iran, dhe protestave ‘të projektuara’ në Tiranë?

Motivi i parë:

Protestuesit anti- qeveritar në Iran janë ngritur kundër korrupsionit qeveritar. Irani njihet si një nga vendet me korrupsion më të lartë në arenën Perse ose rreth Persisë. Nëse mund të bëhen paralele mes  protestave në Tiranë dhe protestave në Teheran, motivi i ‘korrupsionit’ do të ishte i përbashkët.

Shqipëria renditet ndër vendet e kontinentit evropian me korrupsionin më të lartë shtetëror.

Motivi i dytë:

Protestuesit Iranianë kanë zënë rrugët dhe nuk po kthehen në shtëpi, duke kërkuar largimin e kreut të shtetit dhe qeverisë, presidentin Hassan Rouhani, me motivin se qeveria po zbaton ‘politika të linjës së ashpër’. Ndërsa në Tiranë, fjala ‘linja të ashpra’ ndaj qeverisë është harruar nga opozita- e cila thotë njëmijë fjalë për një fjalë. Por në fakt, aplikimi i thyerjes së kushtetutës në Kuvend, zëvendësimi i prokurorëve që kanë hapur dosje për qeveritarë e deputetë, okupimi i sistemit të drejtësisë nga dora qeveritare- këto janë shenjat e linjave më të ashopëra në një qeveri.

Motivi i tretë:

Protestuesit e Iranit e kanë shtrirë zinxhirin e tyre në të gjithë qytetet e vendit duke kundërshtuar shpërdorimin e fondeve publike. Ata e kanë akuzuar qeverinë se po shpërdoron pasurinë e kombit duke financuar terrorizmin. Lidhja Tiranë Teheran, në sensin terrorizëm, funksionon vetëm në aspektin e shpërdorimit të fondeve publike. Akuzat e opozitës në këtë pikë kanë qenë të rrëmujshme dhe askush nuk ka kuptuar; por çfarë është e njohur është se qeveria (nga qendra në lokale) nuk pyet kurrë mbi shpenzimet. Vetëm për festat e vitit të ri u shpenzuan mbi 600 milionë lekë (sipas statistikave të këtyre, por mund të jenë më shumë).

Ndërsa ‘terrorizmi’ këtu ndodhet akoma në stadin e ‘krimit të organizuar’ që në fakt po kthehet në rrezik dhe krim për trupin dhe shpirtin e njeriut.

Motiv i përbashkët, por në invers:

Ndërsa Shtetet e bashkuara janë shprehur në mbështetje të protestave kundër korrupsionit dhe linjave të ashpra në Iran, në Tiranë ndodh e kundërta: Ambasadori i Shteteve të Bashkuara mbështet politikën për thyerjen e Kushtetutës, përqendrimin e pushteteve të Republikës në një dorë të vetme dhe nuk thotë asgjë kundër drogës e krimit të organizuar. Ndërsa vetë Shtetet e bashkuara akoma nuk janë shprehur, për shembull si ‘State Department” .

Por çfarë po ndodh në këtë orë në Iran?

Në rrugën e Iranit kanë shpërthyer thirrjet: “Vdekje diktatorit”. Protestuesit- sipas Daily Mail kanë rrethuar një mullah Iranian- anëtar i lartë i klasës politike dhe po thërrasin: “Mullah, të kesh turp, lëre Iranin”.  Qyteti më i nxehtë i protestave është Mashad, i dyti për nga madhësia- ku nisën edhe protestat. Qeveria ka nxjerrë në rrugë protestues që i financon vetë, me qëllim që të demonstrojë forcën.  Në qytetin Qom- qendër shpirtërore e Iranit, demonstruesit po thërrasin: “Nuk duam Republikë Islamike”. “Irani është një shtet kuturu me shahun”, etj. Një grua u ngjit në një podium në mes të protestuesve dhe shprehu sfidën e saj duke qëndruar pa shall në kokë. Protestuesit kanë shpërthyer në të qara: “Jo Gaza! Jo Liban! Jeta ime për Iranin”, “Lëreni Sirinë, mendoni për ne!”.

Kjo po ndodh në Iran; të paktën po mendojnë…

Veritas.com.al/