Italia në zi kombëtare. Mijëra vetë do ‘ti japin sot lamtumirën Silvio Berlusconit, në një ceremoni që do të mbahet në orën 15:00 në Katedralen e Milanos, në një funeral shtetëror.
Për 3 ditë me radhë, flamujt janë valëvitur në gjysmështizë në të gjitha ndërtesat publike dhe në ambasadat e saj jashtë vendit.
Trupi i Silvio Berlusconit, sipas vendimit të autoriteteve, nuk u vendos në pelegrinazh publik sepse sipas tyre, do të ishte e pamundur të kontrollohej në pak orë, pjesëmarrja e lartë e qytetarëve.
Silvio Berlusconi vdiq mëngjesin e të hënës në moshën 86-vjeçare. Funerali i sotëm pritet të ndiqet nga miliona njerëz në mbarë botën e në të do të marrin pjesë zyrtarët më të lartë shtetërore italianë dhe europianë.
Ndërsa deri mëngjesin e sotëm, me mijëra kanë qenë qytetarët që kanë shprehur ngushëllimet e tyre pranë vilës së familjes duke vendosur foto e kurora me lule.
“Kavalieri” kishte pesë fëmijë nga dy martesa. Në vitin 1965 u martua me Carla Elvira Dal’Olio dhe në 1990 me Veronica Lario. Nga martesa e parë pati dy fëmijë, Marina (1966) dhe Pier Silvio (1969), ndërsa nga e dyta Barbara (1984), Eleonora (1986) dhe Luigi (1988).
Vajza e tij e madhe Marina pritet të ketë një rol të rëndësishëm, sipas Reuters. Në veçanti, fëmijët më të mëdhenj, Marina dhe Pier Silvio, pasi janë përfshirë drejtpërdrejt në menaxhimin e kompanive të Berlusconit që kur babai i tyre hyri në politikën italiane në fillim të viteve 1990.
Ai ishte një manjat mediatik, pronar i Milanit dhe biznesmen miliarder, i cili nuk hoqi kurrë dorë nga politika dhe ndihmoi në formësimin e imazhit të Italisë për dekada me radhë.