-Në mes të pushtimit rus të Ukrainës, Olena Zelenska është celebruar si mbështetësja më e madhe e Volodymyr Zelenskyy.
Olena Zelenska mund ta shohë veten si një “person jo publik”, por si gruaja e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy, ajo është ngritur si mbështetësja e tij më e palëkundur në mes të pushtimit rus-.
Zonja e parë e Ukrainës, një skenariste dhe ish-shoqe klase e Zelenskyy, konsiderohet të jetë një nga gratë më me ndikim në vend.
44-vjeçarja, emri i vajzërisë Kiyashko, ka lindur më 5 shkurt 1978, në Kryvyi Rih. Ajo studioi arkitekturë në Universitetin Kombëtar Kryvyi Rih përpara se t’i kushtonte vëmendje të shkruarit. Ishte aty kur ajo takoi Zelenskyy, një komedian aspirues dhe student i drejtësisë. Është raportuar se dyshja kanë qenë më parë shokë shkolle dhe me miq të përbashkët, por nuk u njohën deri në vitet e tyre të universitetit.
Zelenska vazhdoi të bëhej shkrimtare për një trupë humori që çoi në ngritjen e famës së Zelenskyy në “Shërbëtor i Popullit”. Në Serialin e komedisë ukrainase, që u shfaq në vitet 2010, luajti Zelenskyy si një mësues i dashur e shkollës së mesme. Kur bëhet president atij i kishte ardhur ne maje te hundes me politikanët e korruptuar.
Zelenska dhe Zelenskyy thuhet se ishin në lidhje për tetë vjet përpara se të lidheshin me martesë më 6 shtator 2003. Një vit më vonë ata mirëpritën një vajzë të quajtur Aleksandra, tani 17 vjeç. Çifti ka gjithashtu një djalë 9-vjeçar të quajtur Kiril.
“Preferoj të qëndroj në prapaskenë,” i tha Zelenska revistes ‘Vogue Ukraine’ në 2019.
“Burri im është gjithmonë në ballë, ndërsa unë ndihem më rehat në hije. Unë nuk jam jeta e festës, nuk më pëlqen të tregoj shaka. Është jo në karakterin tim. Por unë gjeta arsye për veten time në favor të publicitetit. Një prej tyre është mundësia për të tërhequr vëmendjen e njerëzve për çështje të rëndësishme sociale. Në të njëjtën kohë, kjo nuk ka të bëjë me publicitetin e fëmijëve të mi: Unë nuk kam postuar fotot e tyre në rrjetet sociale më parë, dhe tani nuk do të bëj as me fotot e mija”.
Sipas revistës, Zelenska mësoi se burri i saj po kandidonte për president më 1 janar 2019, e mesoi nga “rrjetet sociale”. Kur ajo e pyeti Zelenskyy pse ai nuk i tha asgjë para se të dilte në publik, përgjigja e tij ishte: “Kam harruar”.
“Nuk isha shumë e lumtur kur kuptova se këto ishin planet. Kuptova se si gjithçka do të ndryshonte dhe çfarë vështirësish do të duhej të përballeshim,” pranoi Zelenska. “… Burri im di të befasojë. Por, seriozisht mu duk se e kishim diskutuar këtë çështje për një kohë të gjatë, dhe thashë se do ta mbështesja gjithmonë.”
Zelenska dyshohet se “kundërshtoi në mënyrë agresive” planet fillestare të burrit të saj për të ndjekur politikën, duke e ditur se ajo dhe familja e saj do të ishin në qendër të vëmendjes. Por, pavarësisht ngurrimit të saj fillestar, qëllimi i saj ishte të mbështeste bashkëshortin e saj, pavarësisht nga vendimi i tij. Ajo shfaqej shpesh në krah të Zelenskyy gjatë fotove dhe fjalimeve.
Në vitin 2019, Zelenskyy erdhi në detyrë në një zgjedhje demokratike dërrmuese, duke mundur një biznesmen miliarder. Ai premtoi të thyente pushtetin e oligarkëve të korruptuar që kontrollonin kuturu Ukrainën që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik. Atë vit, ajo u shfaq në kopertinën e ‘Vogue Ukraine’.
Zelenska i tha Vogue se pavarësisht se janë në sy të publikut, çifti ka qenë gjithmonë i vendosur për të mbrojtur privatësinë e fëmijëve të tyre. Zelenska gjithashtu theksoi se ishte e vendosur të mbështeste burrin e saj si zonjë e parë.
“Unë jam rritur në Kryvyi Rih, kam jetuar gjithë jetën në këtë vend dhe e kuptoj sa shumë probleme kemi”, tha ajo. “Por nëse do të rrëmbej gjithçka, nuk do të funksionojë, kështu që ekipi ynë vendosi të përqëndrohet në detyra specifike: shëndetin e fëmijëve, mundësi të barabarta për të gjithë ukrainasit dhe diplomacinë kulturore.”
Një nga shkaqet kryesore të Zelenskës janë të drejtat e grave. Në vitin 2019, ajo inicioi anëtarësimin e Ukrainës në iniciativën ndërkombëtare të G7 për barazinë gjinore, Partneritetin Biarritz. Përveç kësaj, ajo promovoi Kongresin e Grave të Ukrainës. Puna e saj ka përfshirë gjithashtu reformimin e sistemit të ushqyerjes shkollore dhe rritjen e ndërgjegjësimit për gjuhën ukrainase. Nëpërmjet stilit të saj personal, Zelenska ka zgjedhur të promovojë edhe dizajnerët ukrainas, veçanërisht gjatë udhëtimeve të saj.
“Bashkëshortja e presidentit ka mundësinë të komunikojë me ata që janë afër pushtetit”, tha ajo për Vogue. “Dyert e zyrtarëve nuk mbyllen para zonjës së parë. Unë nuk jam politikane dhe nuk kam të drejtë të ndërhyj në punën e presidentit, por të bëhem ndërmjetës mes njerëzve dhe zyrtarëve që këta të fundit të dëgjojnë, kjo po. Së pari, unë mundem dhe jam vërtet e gatshme ta bëj.”
Përveç detyrave të saj si zonja e parë e Ukrainës, Zelenska mbetet një skenariste për Kvartal 95 Studio, një kompani prodhimi e themeluar nga bashkëshorti i saj, raportoi revista ‘People’.
Në vitin 2020, Zelenska rezultoi pozitive për koronavirus. Burri dhe fëmijët e saj rezultuan negativë. Ajo qëndroi e lidhur ngushtë me publikun në rrjetet sociale dhe tha se “ndihej mirë” ndërsa merrte trajtim dhe izolohej nga familja e saj “për të mos i vënë në rrezik”.
Mes pushtimit rus të këtij viti, Zelenska dhe fëmijët e saj thuhet se kanë mbetur në Ukrainë në një vend të pazbuluar. Zelenskyy, i cili ka zgjedhur të qëndrojë në vend, vuri në dukje se “armiku më shënoi mua si objektivin nr.1, dhe familjen time si objektivin nr.2”. Presidenti e tha kete përpara se të refuzonte një mundësi për t’u evakuuar nga Kievi, kryeqytet i Ukrainës.
Ashtu si Zelenskyy, Zelenska ka qëndruar e pathyeshme.
“Nuk do të kem panik dhe lot”, ka shkruar ajo në Instagram.
“Unë do të jem e qetë dhe e sigurt. Fëmijët e mi po më shikojnë. Unë do të jem pranë tyre. Dhe pranë burrit tim. Dhe me ju.”
/ Associated Press/