(FOTO: Pamje nga vendi i atentatit ku u vra Dalipaj)/

Krimi i dyfishtë i ndodhur sot në autostradën Tiranë Durrës ka qenë i mirëplanifikuar.

Mendohet se prapa Audi S8-së me të cilën udhëtonin Ervin Dalipaj dhe miku i tij Xhino Dautaj, kanë qenë dy ekzekutorë, të cilët kanë zbrazur një karikator të plotë dhe i kanë marrë jetën dy të rinjve.

Për policinë emri i Ervin Dalipajt nuk është i panjohur, pasi prej një viti ai ka qenë i shpallur në kërkim për rrëmbimin dhe ekzekutimin e Gazmend Çollakut.

Ervin Dalipaj, dikur me detyrë ish shef i krimit ekonomik në Tiranë, u largua nga posti me urdhër të ish Ministrit Tahiri në vitin 2013 nën akuzën e kontrabandës së medikamenteve.

Vrasja e e Gazmend Çollakut, një person me precedentë në trafikun e drogës, ndodhi në 6 janar të vitit të 2016. Trupi i tij u gjet në fshatin Murqin të Krujës, i lidhur këmbë e duar dhe me dy plumba, një në kokë e një në trup.

Më 7 janar, policia arriti të ndalojë Denis Shtrazën për një kontroll automjeti. Në këtë automjet u gjendën njolla gjaku në bagazh, të cilat korrespondonin me gjakun e Çollakut. Makina e tipit “Benz ML” në fakt nuk ishte në pronësi të Denis Shtrazës, por të vetë ish shefit të policisë, Ervin Dalipajt.

Fill pas daljes së këtyre të dhënave, Dalipaj u arratis. Pavarësisht arratisë, Ervin Dalipaj pretendonte se nuk ishte ai përgjegjës për ekzekutimin e Gazmend Çollakut.

Ky është zinxhiri i ngjarjeve që na sjell deri tek vrasja mafioze e ditës së sotme të Ervin Dalipajt dhe mikut të tij në autostradën Tiranë Durrës. Në bazë të hetimeve paraprake, policia dyshon se kemi të bëjmë me një ekzekutim për hakmarrje mes grupeve rivale të drogës.

Deputeti i PD, Strazimiri, anëtar i Komisionit për Sigurinë, ka postuar në Facebook këtë mesazh: “Bravo çuna të policisë, e vratë kolegun tuaj”. Deputeti lë në nënkuptohet se vrasja e Dalipajt ështëkryer nga forcat e policisë në qëllimin për të fshehur ngjaren e vërtetë dhe gjurmët e krimit.

/Veritas.com.al/