Nga Laert Skiro/
Po ç’iu desh kjo punë Bashkim Finos?! I shkurtër sa nuk ka më, sa një top futbolli; por që kandidon për futbollin. I sëmurë, sa na erdhi keq të gjithëve pasi vetë dha lajmin sa shumë po e ndihmonte ‘nëna Parti”. Kryeministër kishte qenë, zoti ia kishte lëshuar atë nder njësoj si pikat e shiut që dikë nuk e lagin e dikujt i bien në ballë…
Po ç’iu desh të hynte në këtë punë kur të gjitha ia kishin harruar dhe ky kishte vënë aq pasuri sa të bënte karshillëk me puro kubaneze.
Më në fund, sot, pasi shpalli kandidaturën për në krye të FSHF, u detyrua të ‘japë dorëheqjen’ nga postet në “Partinë Nënë”. Të gjithë e përgojuan ‘pse nuk po jep dorëheqjen’ nga funksionet politike, përderisa kandidoi për postin e lartë të presidentit të FSHF. Sot që e dha dorëheqjen është shumë vonë; sot dorëheqja i kthehet në të kundërt, ia quajnë për ‘paburrëri’. Sidomos në mesin e sportistëve, ku thuhet se nuk ka shumë transgener që e tundin bishtin herë ‘po’ herë ‘jo’.
Bashkimi është një burrë i mirë, s’ka gjë pse rrumbullak, por vërtet i mirë. E pse hyri në gojën e njerëzisë se ‘ai nuk është burrë’ sepse e dha dorëheqjen ‘pas pilafit’? Me siguri është emocionuar nga njerëzit që kalojnë te kafe ‘Juna’ në bllokun e udhëheqjes komuniste, dhe ky ‘waves” duart dhe flamurin e kuq. Po ata njerëz që përshëndesin ashtu, jo vetëm janë pak, por as ata nuk janë ‘me ty’ zoti Bashkim; shpesh ata duan të të fusin në grackë. Dhe Bashkimi e hëngri grackën: Kandidoi për president të FSHF.
Që të nesërmen e kandidimit, zoti Fino priste të vinte gjithë PS e t’i ulej në gjunjë: “O yll, jemi me ty!”. Por nuk ndodhi aspak kështu. Kryeministri dhe kryetar i PS, Edi Rama, shikoi agjendën e tij, dhe u rreshtua në krah të presidentit aktual e rival, Armando Duka. Bashkë me të preu një shirit të madh inaugurimi; sportistët dhe votuesit e morën mesazhin: “Votojmë për Dukën që ka qeverinë me vete; ça ka Fino, një puro dhe një xhaketë shumë të gjerë! Asgjë tjetër”. Gjatë viteve të ‘kapitalizmit të egër”, njerëzit janë bërë shumë pragmatikë: Votojnë për burimin e ujit dhe të floririt. Flamujt te Juna, vallë kush i do?!
Po ç’iu desh Bashkim Finos kjo punë?
Tani që dha dorëheqjen në parti, duhet të japë dorëheqjen edhe si deputet në Kuvend. Mirëpo këtë nuk po e bën. Po rri me të njëjtën gjë…, në dy karrige: As po, as jo! Sportistët janë burrërorë dhe e duan të rrish në njërën anë,… dmth në njërën anë. Mirëpo zoti Fino ka kuptuar se nuk fiton gjë në FSHF dhe po mban karrigen e deputetit… Po atëherë, pse more Bashkim e lodh shpirtin kot?! Ose kush të futi në këtë punë?… Kur shkrova në fillim ‘si një top futbolli’, nuk e kisha fjalën veç për rrumbullakësinë simpatike të Bashkimit, por për lojën që po luajnë të tjerët me të, që po e përdorin si ‘top futbolli’.
O zot, veç këtu te Juna, pranë Librit Universitar, nuk e kanë kuptuar akoma se nuk mund ta përdorësh një kryeministër që ta kandidojë për në FSHF. Çudi e madhe! Por po e shikojnë zotin Fino si një ‘gjel’ floriri që e hedhin në treg për vete; dhe gjeli pas kësaj të pjellë monedha floriri për ata…
Ou, sa keq i kanë bërë Bashkimit. Por ndoshta do ta falë partia dhe ta mbajë deputet.
Veritas.com.al/