Duke marrë shkas nga vijimi i situatës së fatkeqësisë natyrore në vend e krijuar nga virusi COVID-19, Këshilli i Lartë Gjyqësor mori vendimin për të vijuar pezullimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në të gjitha gjykatat në Republikën e Shqipërisë, deri në datën 22 prill 2020, me përjashtim të çështjeve urgjente.
Gjyqtarët e caktuar për shqyrtimin e çështjeve individuale do të zbatojnë ligjin duke garantuar mbrojtjen, sigurinë dhe aksesin në drejtësi si prioritare, kur përcaktojnë cilat çështje do të kategorizohen si “të ngutshme” apo “urgjente”. Këshilli i Lartë Gjyqësor i lutet publikut dhe përdoruesve të tjerë të gjykatave të mos paraqiten pranë gjykatave, përveç rasteve kur orientohen të bëjnë një gjë të tillë nga një punonjës i gjykatës dhe për një çështje specifike. Këshilli i Lartë Gjyqësor do të vijojë të punojë me gjykatat për të menaxhuar sa më shumë që të mundet në distancë dhe kërkon mirëkuptimin dhe durimin e publikut, ndërsa kalojmë të gjithë këtë periudhë të vështirë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor shpreh vlerësimin maksimal për gjyqtarët dhe ata punonjës të Drejtësisë, që janë të detyruar t’i ofrojnë publikut shërbimin e tyre edhe në këtë kohë, në kushte të vështira pune.
Publiku mund t’u referohet burimeve të mëposhtme, për më shumë informacion:
Faqet zyrtare të Gjykatave
Këshilli i Lartë Gjyqësor (http://klgj.al)
Këshilli i Lartë i Prokurorisë (https://klp.al)
Ministria e Drejtësisë (http://www.drejtesia.gov.al )
Dhoma Kombëtare e Avokatisë (http://www.dhka.org.al)
Këshilli i Lartë Gjyqësor do ju informojë në vijimësi në lidhje me zhvillimet e reja dhe ju uronshëndet dhe siguri!”