42 raste të reja me koronavirus janë identifikuar përgjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë. Gjatë përditësimit të të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, u bë e ditur se kjo dite ka pasur rastet me të larta që nga shpallja e pandemisë. Në total numri i personave të prekur nga COVID-19 ka shkuar në 1341.

Specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Marjeta Dervishi deklaroi se edhe numri i pacientëve të shtruar dhe atyre në terapi intensive është rritur. Ndërkohë që harta e kuqe është shtrirë kryesisht më shumë në Tiranë.

Kujtojmë se deri më tani janë regjistruar 34 viktima në vendin tonë nga virusi i COVID-19.

Teksa në vendin tonë shifrat e personave të prekur nga koronavirusi janë rritur këto ditët e fundit, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka një thirrje për qytetarët.

Të gjithë ne dëshirojmë një gjë, kundrejt Covid-19, sëmundjes që shkakton koronavirusi i ri: Ta mundim një herë e mirë, për të mos e patur më mes nesh.

Shtete shumë më të zhvilluara se Shqipëria po vazhdojnë të përballen me këtë infeksion. Disa pa e ndërprerë asnjëherë luftën, të tjerë duke luftuar me rikthimin e tij.

Pas hapjes fillimisht graduale, dhe më pas tërësore dy javë më parë, Shqipëria ka ende transmetime komunitare të infeksionit në Tiranë, Shkodër dhe Durrës. Kemi të prekur dhe shtim të numrit të pacientëve në Spitalin Infektiv.

Ministre e Shendetesise, Ogerta Manastirliu shkruan:

Që kur vendosëm për rihapjen, kemi ndarë me ju besimin se gjërat do të shkojnë mirë, vetëm nëse plotësohet një kusht themelor: bashkëpunimi i qytetarëve. Normaliteti i ri nuk do të jetë kurrë si ai i para Covid-19, për sa kohë që asnjë vend i botës nuk ka mundur të gjejë ende, as kurën, as vaksinën.

Për këtë arsye, asnjëri nga ne nuk mund t’i lejojë vetes që, pas rihapjes, të relaksojë dhe neglizhojë masat individuale të higjenës dhe distancimit social, apo edhe të protokolleve. Sepse kjo do të ishte një “recetë” për përhapje të shpejtë të infeksionit, shkruan zonja Manastirliu.

VERITAS.COM.AL/