Duket se bilanci i viktimave nga Covid-19 në Shqipëri sa vjen dhe po thellohet. Ministria e Shëndetësisë raporton se tre persona kanëhumbur jetën në 24 orët e fundit. Ndërkohë janë shënuar edhe 69 infektime të reja.

MSH thotë se 25 persona janë shëruar në 24 orët e fundit.

Deklarata e plotë nga Dr. Flutura Beqo

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën me dije situatën epidemiologjike në vend, ku vijon të ketë shtrime të reja në spital, vijon të ketë rritje të të prekurve nga Covid19, pothuajse në të gjithë Shqipërinë.

Ndaj ftojmë çdo qytetar të tregojë kujdes me ruajtjen e higjienës personale, me mbajtjen e distancës fizike, vendosjen e maskës në ambiente publike.
Fatkeqësisht, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 3 qytetarë e kanë humbur betejën me Covid19 në 24 orët e fundit.

Një 44 vjeçare nga Durrësi, një pacient 71 vjeçar nga Tirana dhe një pacient 85 vjeçar gjithashtu nga Tirana.

Të 3 pacientët kishin disa sëmundje bashkëshoqëruese dhe nuk kanë mundur dot të mbijetojnë për shkak të rëndimit të gjendjes shëndetësore, pavarësisht trajtimit intensiv nga stafi mjekësor.

Vijon të ketë shtrime në spitalin infektiv ku aktualisht po trajtohen 79 pacientë, 7 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 3 janë të intubuar.

Ndërkohë kanë vijuar testimet në Laboratorin e Virologjisë në ISHP dhe gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 371 testime për të dyshuar të prekur me Covid19, nga të cilat janë konfirmuar 69 raste pozitive.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 23 raste në Tiranë, nga 10 raste Durrës, Krujë, 6 në Vlorë, 5 në Mat, nga 4 raste në Kurbin, Kamëz, nga 2 raste në Shkodër, Fier, Kavajë, 1 në Lushnje.

Pavarësisht rasteve ditore të identifikuara pozitivë, lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 25 qytetarë, duke e çuar në 1459 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Në vendin tonë aktualisht janë 1014 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët, bizneset, që në mënyrë strikte të respektojnë zbatimin e masave të rekomanduara: distancën fizike, përdorimin e maskave në shërbim dhe kur nuk është e mundur të respektohet distanca, higjienën personale, dezinfektimin e ambienteve, ajrosjen e tyre, në menyrë që të kufizohet përhapja e Covid19.

Inspektorët e Task-Forcës anti-covid do të vijojnë kontrollet në çdo subjekt, në institucione apo biznese tregtare të çdo lloji, për zbatimin e protokolleve të sigurisë.
Shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale edhe një herë ka një lutje për qytetarët dhe bizneset të tregojnë kujdes sepse virusi është ende mes nesh.

Nëse keni shenja të sëmundjes telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 dhe në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid19.

VERITAS.COM.AL/