Eshtë një bast. Për shumëkënd është i rrezikshëm, i pandërgjegjshëm, në epokën e koronavirusit. Por tanië shtë zyrtare, pas disa javësh heshtje, ftesave të thjeshta për të larë duart dhe ruajtur qetësinë. Sepse dje në mëngjes, Sir Patrick Vallance, këshilltar i lartë shkencor i kryeministrit britanik Boris Johnson deklaroi: “60 përqind e britanikëve do të duhet që të preken nga koronavirusi, për të zhvilluar imunitetin ‘e tufës’. Sepse virusi do të jetë stinor dhe do të rikthehet në dimër. Po, është një sëmundje e keqe. Por në shumicën e rasteve ka vetëm simptoma të lehta”.

Një gafë? Jo. Vallance ka shkuar më tej. “Nëse përpiqesh që ta shtypësh me masa shumë të forta dhe më pas i zbut këto masa, virusi reagon, ndoshta në momentin e gabuar. Objektivi ynë është që të krijojmë një lloj imuniteti të tufës kundër transmetimit afatgjatë të virusit, duke mbrojtur më të dobëtit”.

Edhe për shkak se një vaksinë kundër Covid-19 ende nuk ekziston dhe do të duhet të paktën një vit që të zhvillohet. OBSH deklaroi dje se nuk është gjëkund dhe ka një mungesë fondesh.

Por strategjia ekstreme e qeverisë së Johnsonit mund të shkaktojë vdekjen e qindra mijëra njerëzve. Britanikët janë 67 milionë, 60% i bie 40 milionë. Me një normë vdekshmërie prej 1 përqind, ky “bast” do të mund të kishte një “kosto” fillestare prej 400 mijë të vdekurish. Veç kësaj, Covid-19 duket një virus që pëson mutacion dhe nuk ka ende siguri absolute që fiton imunitet kur shërohesh.

Por të enjten Johnsoni kishte deklaruar në konferencë për shtyp: “Për fat të keq do të vdesin shumë prej njerëzve tanë të dashur”. E megjithatë, kryeministri është ende kundër çdo lloj mase drakoniane për të frenuar virusin, që sot në Mbretërinë e Bashkuar ka prekur “vetëm” 708 persona nga 32771 që janë testuar, edhe pse mendohet që të sëmurët “e fshehur” mund të jenë 10 mijë. Shkollat mbeten të hapura, pub-et dhe restorantet janë plot, koncerti i madh i Glastonbury-t është rikonfirmuar dhe po të ishte për qeverinë, edhe futbolli do të kishte vazhduar – me porta të hapura – nëse Premier League dje nuk do të ishte kundërvënë, pas infektimit të disa futbollistëve.

Prindërit janë të shqetësuar për fëmijët në klasa, qindra turistë janë bllokuar nga ndalimi i fluturimeve, kanë leje që të telefonojnë numrin special antivirus vetëm nëse kanë simptoma të rënda. Përndryshe, e ka thënë vetë Johnsoni, qëndroni në shtëpi për një javë pa asistencë mjekësore. E megjithatë, dje kryeministri ka qenë gjithësesi i detyruar që të shtyjë zgjedhjet lokale të majit, maratonën e Londrës, ndërkohë që disa universitete, si London School of Economics që tani kanë nisur kurset online. Edhe Mbretëresha i anuloi takimeet e saj.

Por problemi i vërtetë i Johnsonit është një tjetër. Duke shpresuar që i nxehti të kufizojë koronavirusin, kryeministri nuk dëshiron të bllokojë vendin, me qëllim që të ruajë ekonominë. Një bast të cilin Italia e ka paguar tashmë me një çmim shumë të lartë. Vetëm mbyllja e shkollave do i kushtonte Mbretërisë së Bashkuar 3 % të GDP-së, thoshte dje një nënsekretar. Imagjinoni një ndalim total, si i Italisë. Borisi nuk ia lejon dot vetes këtë, në vitin vendimtar të Brexit. Sepse pas premtimeve të pafundme, tani luhet gjithçka: karriera dhe e ardhmja e Mbretërisë së Bashkuar. Në këto kushte, koronavirusi mund të rikthehet në dimër, pikërisht në muajt kur do të konkretizohet Brexit, në vitin 2021. Ja pse shumë në Downing Street po binden për imunitetin e tufës. Me çdo kusht. / La Repubblica – Bota.al

VERITAAS.COM.AL