Nga: Kallxo.com/

Arrestimi dhe dëbimi i gjashtë shtetasve të Turqisë me lejeqëndrim  të vlefshëm në Kosovë i revokuar në rrethana të pasqaruara, domosdoshmërisht të sjellë në mendje dokumentarët me nuancë konspirative që kanë për subjekt persona që u rrëmbyen nga siç thonë ata, Objekte të Paidentifikuara Fluturuese – UFO dhe pastaj pas kalimit të një kohë relativisht të gjatë, shfaqen në vende të ndryshme të tokës (apo edhe planete tjera), në distancë të madhe nga vendi se ku ishin rrëmbyer.

Fatkeqësisht, diçka e ngjashme ndodhi edhe në realitet, gjashtë persona, pa paragjykuar se kush janë apo çfarë veprimtarie zhvillojnë, në mëngjesin e 29 marsit në shtetin që proklamon sundimin e ligjit dhestë drejtës, gjersa po shkonin në punë, u ndanë nga familjet e tyre dhe për fatin e tyre Presidenti, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri i vendit, thonë se nuk ditën asgjë.

Në një situatë ku gjashtë persona arrestohen, lejet e tyre të qëndrimit revokohen, dëbohen nga vendi dhe krerët e shtetit pretendojnë se nuk dinë asgjë, patjetër që të vijnë në mendje disa situata të tilla si ndalja e trenit nga Serbia në veri, apo të ngjashme ku liderët kosovarë janë të pakompromisë dhe garojnë ashpër mes veti për të marrë sadopak nga meritat e një “operacioni të suksesshëm”.

E ashpër gara ishte edhe këtë herë, por kësaj radhe për të garuar se cili nga ta di të luajë më së miri “hutin” apo të painformuarin.

Veprimet “emergjente” po vazhdojnë edhe sot kur Kryeministri i vendit thirri Këshillin Kombëtar të Sigurisë, Këshill ky në të cilin bëjnë pjesë edhe Ministri i Punëve të Brendshme dhe drejtori i AKI-së, të cilëve iu kërkua lirimi nga detyra.

Por a mjaftojnë këto? Sigurisht se jo. Së pari mosdija apo të qenit  i painformuar nuk arsyetojnë krerët e vendit.

Madje, kemi parë raste në shtetet e zhvilluara se si liderë të caktuar kur nuk kanë qenë të aftë apo të informuar për të parandaluar apo shmangur ngjarje të caktuara kanë ndjerë obligim moral të japin dorëheqje si rezultat i ngjarjeve të caktuara.

Megjithatë, duke e parë të kaluarën, duke e parë funksionimin e institucioneve të Kosovës, pak kush do të besonte se Drejtori i AKI-së në Kosovë apo Ministri i Punëve te Brendshme do të mund të ndërmerrnin krye në vete ndonjë veprim me kaq rëndësi pa e ditur krerët e shtetit.

Çka ndodhi?

Mëngjesi i 29 marsit u shoqërua me lajmin se 6 shtetas të Turqisë, 5 punëtorë të Kolegjit “Mehmet Akif”, dhe 1 doktor, që të gjithë me leje qëndrimi në Kosovë, u shoqëruan nga policia dhe këtu filloi të humbet filli i kësaj ngjarjeje.

KALLXO.com gjatë tërë ditës së enjte ishte në kontakt me avokatin e njërit prej të arrestuarve, avokatin Urim Vokshi i cili përkundër përpjekjeve në asnjë moment nuk u informuar nga Policia e Kosovës se cfarë po ndodhte me të arrestuarit.

E gjithë amullia zgjati deri rreth orës 14:00 kur u dha lajmi se tashmë, 6 shtetasit turq veçse ishin dëbuar nga Republika e Kosovës.

Po atë ditë, pak më herët Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se kishte revokuar lejet e qëndrimit për shtetasit turq, ndërsa si arsyetim përmendi një nen të Ligjit për të Huaj që i referohej sigurisë kombëtare.

Pas lajmit për dëbimin e shtetasve turq, duke filluar nga Presidenti, Hashim Thaci, Kryeparlamentari Kadri Veseli, Kryeministri, Ramush Haradinaj, kundërshtuan dëbimin e shtetasve dhe sigurisht që nuk harruan të deklarohen se nuk ishin në dijeni.

Reagimet lidhur me këtë rast po vazhdojnë ende, ndërsa familjarët e të arrestuarve apo siç po quhen të “gylenistëve”, ende nuk po mund të besojnë se familjarët e tyre nuk gjenden më në Kosovë, duke pretenduar se mund të ndodhen ose në Aeroportin e Prishtinës apo në Ambasadën turke.

Për të shmangur dyshimet lidhur me këtë, u raportua se EULEX zhvilloi një bastisje në Aeroportin e Prishtinës, pa arritur të gjejë të arrestuarit.

Kah fundi i ditës së djeshme, edhe Avokati i Popullit njoftoi se sipas detyrës zyrtare ka nisur një hetim lidhur me dëbimin e shtetasve turq për të vlerësuar nëse u janë shkelur të drejtat e tyre.

Çka parasheh ligji

Qysh prej raportimeve të para lidhur me arrestimin, KALLXO.com ka analizuar edhe bazën ligjore se si mund të dëbohet dikush nga Kosova, cila është procedura, kushtet, afatet kohore dhe rrethanat tjera.

Për të arritur këtë qëllim KALLXO.com dje gjatë gjithë ditës ka provuar të marrë informacion nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga Policia e Kosovës përmes Zyrës për Informim por ka qenë e pamundur.

Pikërisht, lajmërimi i Avokatit të Popullit se ka nisur hetimet sipas detyrës zyrtare, zbardhi pak më shumë detaje lidhur me formën e dëbimit dhe afatin kohor të revokimit të lejeqëndrimeve.

“Policia e Kosovës (PK), respektivisht Drejtoria për Migrim dhe të Huaj (DMH) sot më 30 mars 2018 në ora 14:00 ka njoftuar se nga ana e DMH-së së PK-së më datë 29 mars 2018 janë nxjerrë gjashtë urdhra për largim me forcë të shtetasve në fjalë nga territori i Republikës së Kosovës për në Turqi”, thuhej në komunikatën e Avokatit të Popullit.

Komunikata tregonte se ku bazoheheshin urdhrat e largimit.

“Lëshimi i këtyre urdhërlargimeve me forcë është aplikuar duke u bazuar në vendimet e Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion (DSHAM) të MPB-së, që mbajnë datën 23 mars 2018, të përcjella tek DMH, më 28 mars 2018. Sipas njoftimit të PK-së, shtetasit në fjalë janë ndaluar më 29 mars 2018 dhe janë përcjellë të njëjtën ditë, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, nga ku ka ndodhur dëbimi për në shtetin e tyre të origjinës”, vijonte komunikata e Avokatit të Popullit.

Largimi me forcë përcaktohet në nenin 97 të Ligjit të për të Huajt në Kosovë. Ky ligj përcakton se kur një i huaj mund të largohet me forcë nga Republika e Kosovës.

Nën-paragrafi 1.2 i këtij neni përcakton se një i huaj mund të largohet më forcë kur  “Nuk është larguar nga Republika e Kosovës brenda afateve kohore të përcaktuara në urdhrin e largimit pa ndonjë arsye objektive, apo pas largimit nga territori dhe brenda afateve të ndalimit të hyrjes, rihyn në territorin e Republikës së Kosovës”.

Në rastin konkret nuk është dhënë asnjë informacion nga MPB apo nga Policia e Kosovës nëse para nxjerrjes së urdhrave për largim me forcë të ketë pasur ndonjë urdhër për largim. Sipas komunikatës së lëshuar nga Avokati i Popullit, rezulton se urdhri për largim me forcë të jetë shqiptuar në mënyrë direkte pa u shqiptuar së pari urdhri për largim.

Neni 97 i Ligjit për të Huajt në paragrafin 1 parasheh që të urdhri për largim mund të nxirret ndaj të huajve që qëndrojnë paligjshëm në territorin e Republikës së Kosovës.

“DSHAM nxjerr urdhrin e largimit për të huajt që qëndrojnë në mënyrë të paligjshme në territorin e Republikës së Kosovës, ose kur i huaji ka vuajtur një dënim të dhënë nga gjykatat kompetente për një vepër penale, për të cilën Kodi Penal i Republikës së Kosovës parashikon një dënim minimal një (1) vjet me burgim”, thuhet në Ligjin për të Huajt.

Në këtë rast edhe nëse e marrim si të mirëqenë se  kushti i paligjshmërisë është plotësuar me revokimin e lejeve të qëndrimit nga MPB për arsye të sigurisë kombëtare, nuk ofrohet asnjë e dhënë nëse  të arrestuarve nuk është dhënë mundësia për t’u deklaruar nëse dëshirojnë të kthehen vullnetarisht siç përcaktohet me Ligjin për të Huajt.

“Afati për ekzekutimin vullnetar të urdhrit të largimit është jo më pak se shtatë (7) ditë dhe jo më gjatë se tridhjetë (30) ditë nga data e njoftimit”, përcaktohet në paragrafin 4 të nenit 94 të Ligjit për të Huajt.

Pra, shihet se në këtë rast pa paragjykuar arsyet që mund të ketë pasur, shihet se është vepruar me një urgjencë të madhe dhe nga momenti i arrestimit e deri në momentin e raportuar të largimit përmes Aeroportit “Adem Jashari”, nuk kanë kaluar as dy orë, ndërsa në këto dy orë përkundër insistimit të avokatëve për të ditur se çfarë po ndodh, ata nuk ka pasur qasje në ngjarjet që po ndodhnin.

Gjithashtu, neni 92 i Ligjit për të Huajt parasheh parimin e mos-kthimit në rastet e dëbimit apo largimit të të huajve.

“Republika e Kosovës nuk duhet ta dëbojë ose kthejë refugjatin në asnjë mënyrë në kufijtë e territoreve, ku do të kërcënohet jeta apo liria e tij për arsye të racës, religjionit, përkatësisë kombëtare, anëtarësisë në një grup të caktuar shoqëror, apo bindjeve të tij politike”, parasheh paragrafi 1 i këtij neni.

Megjithatë, paragrafi dy parasheh se në rastet kur bëhet fjalë për sigurinë kombëtare paragrafi 1 i këtij neni nuk vlen.

Çështja bëhet interesante megjithatë kur e dimë se këta persona në Kosovë ishin për disa vite dhe njërit prej tyre krejt së fundmi i ishte përtrirë leja e qëndrimit deri në vitin 2022.

Pra nëse MPB në bazë të informatave të pranuara nga AKI u ka revokuar lejën e qëndrimit, si kanë kaluar pë u vërejtur këta persona deri më tani në Kosovë? Sa shumë e paskan cenur sigurinë e Kosovës? Cila ka qenë veprimtaria e tyre?

Akoma më interesant është fakti se si personat që konsiderohet që e cenojnë sigurinë kombëtare të Kosovës nuk intervistohen në mënyrë të detajuar lidhur me të dhënat që mund t’i ketë AKI për veprimtarinë e tyre, madje nëse ka elemente të ndonjë vepreje penale të hapet edhe hetim penal ndaj tyre, por ata dëbohen brenda dy orëve nga momenti i arrestimit.

Të gjitha këto elemente, duke u shtuar misterin e arrestimit dhe urgjencën e veprimit lidhur me këtë situatë, sigurisht se te çdo vrojtues objektiv ngrehin shumë pyetje e dilema nëse u veprua siç përcakton ligji, apo pati agjenda tjera të veprimit.

Duke parë zhvillimin e këtij rasti, patjetër që duhet të kujtojmë se në gjysmën e dhjetorit të vitit të kaluar, Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës u tërhoq nga kërkesa për ekstradimin e shtetasit turk, Ugur Toksoy, i cili kërkohej nga Republika e Turqisë për dyshimet në lidhje me organizatën e Fetullah Gylenit e cila nga autoritetet turke konsiderohet si joligjore.

Pra për fatin e Toksoyt, kërkesa e ekstradimit nga vetë Prokuroria Speciale pas afër një muaji në paraburgim u cilësua si jo e plotë, ndërsa fati i bashkombasve të tij, dukej se ishte tjetër.

Për ta qartësuar, është krejt legjitime që një person që dyshohet se ka kryer një vepër në një shtet, në bazë të provave të ofruara të ekstradohet nga shtetit tjetër ku do të përgjigjet në ato dyshime apo akuza.

Krejt ndryshe është situata kur disa shtetas, të kujtdo qofshin të arrestohen e dëbohen me hije, dyshime e prapaskena për të cilat ata që duhej ta dinin se çfarë ndodhi, garojnë për të lajmëruar se nuk ditën asgjë.

Deri në zbardhjen e plotë të këtij rasti, çdo qytetar i Republikës së Kosovës e çdo qytetarë i huaj që ndodhet në Kosovë, ka të drejtë të ndihet i pasigurt e familjarët e 6 shtetasve turq përveç pasigurisë që shteti i Kosovës i bëri të përjetojnë, kanë të drejtë të dinë se kush u mori familjarët e tyre që kushedi se kur do t’i shohin përsëri.

Veritas.com.al/