Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen, ka deklaruar se ekziston një “mosmarrëveshje thelbësore” me Shtetet e Bashkuara lidhur me Groenlandën, pas bisedimeve të zhvilluara në Shtëpinë e Bardhë.
Rasmussen tha se takimi me zv/presidentin amerikan JD Vance dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio ishte “i hapur, por konstruktiv”, por theksoi se presidenti Donald Trump po këmbëngul për “pushtimin” e Groenlandës, një ide që Danimarka e konsideron “krejtësisht të papranueshme”.
“E bëmë shumë të qartë se kjo nuk është në interes të Danimarkës”, deklaroi Rasmussen.
Pas takimit, Trump përsëriti interesin e tij për marrjen e ishullit të pasur me burime natyrore, një qëndrim që ka tronditur aleatët europianë dhe ka shtuar tensionet me NATO-n.
Takimi njëorësh mes SHBA-së, Danimarkës dhe Groenlandës nuk solli një marrëveshje konkrete, por palët ranë dakord të krijojnë një grup pune të nivelit të lartë për të diskutuar të ardhmen e territorit autonom danez. Rasmussen tha se ekzistojnë “vija të kuqe” që SHBA nuk mund t’i kalojë, por shtoi se Danimarka dhe Groenlanda janë të hapura për zgjerimin e pranisë ushtarake amerikane në ishull.
Groenlanda, edhe pse territor me popullsi të vogël, ka rëndësi strategjike për shkak të pozicionit mes Amerikës së Veriut dhe Arktikut, duke shërbyer si pikë kyçe për sistemet e paralajmërimit ndaj sulmeve raketore dhe monitorimin e anijeve në rajon.
Trump ka deklaruar vazhdimisht se marrja e Groenlandës është jetike për sigurinë kombëtare amerikane. SHBA ka aktualisht mbi 100 ushtarë të vendosur në bazën Pituffik në veriperëndim të ishullit.
Ministrja e Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt, tha se territori është i hapur për bashkëpunim më të ngushtë me SHBA-në, por kundërshton çdo ide për marrje nën kontroll.
“Ne kemi treguar qartë se cilat janë kufijtë tanë”, u shpreh ajo.
Ndërkohë, disa vende europiane kanë shprehur mbështetje për Groenlandën. Suedia ka njoftuar se do të dërgojë forca të armatosura në territor me kërkesë të Danimarkës, ndërsa Gjermania dhe Franca kanë paralajmëruar dërgimin e ekipeve ushtarake vëzhguese.
Sondazhet tregojnë se shumica e banorëve të Groenlandës janë kundër kalimit nën kontrollin amerikan, ndërsa edhe shumica e amerikanëve e kundërshtojnë këtë ide.
Komente