Frrok Çupi/

Me David Binder u ndava për herë të fundit në pranverën e vitit 2004; pa e ditur se kjo do të ishte hera e fundit. Vinte nga Kosova, qëndroi vetëm një natë në Tiranë dhe trokiti në zyrën time pa lajmëruar. David, nëse të njihte, të bëhej i afërt pa asnjë ‘teklif’. Kishim kohë që ishim miq, që në vitin 1991; ai vinte shpesh në Tiranë. Besoj se ishte i vetmi gazetar amerikan që zbriste aq shpesh në këtë tokë, në kohë të mirë e të keqe; ose mund të them se ka qenë i pari. Bashkë me gazetarin holandez Frits Schils, (i cili më shumë qëndronte mes gazetarëve të RD dhe studentëve të Demokracisë), ishin këta dy gazetarët perëndimorë që e lanë jetën këtu ato kohë.

Herën e fundit, 2004, David qëndroi vetëm pak dhe u nis për në Podgoricë ku do të merrte avionin. E shoqërova deri në kufi, Hani i Hotit; dhe më gjeti rast të më falënderonte dy a tri herë. Kishte në dorë librin tim në gjuhën angleze ‘There isn’t war neither peace’, që ia kisha dhënë një herë më parë. ‘Nuk kuptova shumë- tha- se përkthimi është i keq”. Librin e kishte përkthyer një miku im, në atë kohë nuk mund të kishe përkthyes nga shqip në gjuhë të huaj, të këtij kalibri që mund të gjesh sot.

David Binder, tani që marr vesh lajmin shumë të hidhur se ka vdekur në 30 qershor, po lexoj edhe disa të dhëna nga jeta e tij; për të cilat, natyrshëm, nuk mund të pyesësh një mik.

Binder ka lindur në vitin 1931, në Londër, së bashku me motrën binjake Deborah. Prindërit ishin amerikan; babai i tij Abner Carroll Binder ishte gazetar shumë i njohur si korrespondent dhe editor në Chicago Daily News  dhe Minneapolis Tribune

Vitet në New York Times

David Binder ka punuar si gazetar për New York Times nga viti 1961 deri në 2004, duke raportuar ngjarjet kryesore nga Evropa Lindore dhe Perëndimore, nga Bashkimi Sovjetik, Shtetet e Bashkuara, Kuba, Puerto Rico. Ai ishte korrespondent i huaj në vitin 1961 në ngjarjen e paharruar të ndërtimit të Murit të Berlinit… Nga fundi ai u kthye në Uashington si korrespondent diplomatik.

Gjatë periudhës për përmbysjen e regjimit komunist në Evropën Lindore, Binder shkroi artikuj të mrekullueshëm, saqë s sot nuk harrohen.

Veritas.com.al/