Pas mbërritjes së delegacionit shqiptar në Bruksel është zbardhur edhe agjenda e nesërme, kur pritet të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare, mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
Sipas agjendës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të takohet me homologun maqedonas, Dimitar Kovaçevski dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen në orën 08:30.
30 minuta më pas, ata do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Në orën 15:00 është planifikuar edhe një takim “screening” i kryenegtociatorit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, Zef Mazi.
Më pas, në orën 18:00 do të ketë një pritje të përbashkët të delegacionit shqiptar me atë maqedonas.
Çfarë përfaqëson Konferenca?
Ajo në çfarë ky format, i njohur shkurtimisht si IGC (Inter-Governal Conference), konsiston, është takimi dypalësh mes strukturave të posaçme të Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së një vendi kandidat.
Takimet nga radhët e BE-së i drejton përfaqësuesi i vendit që ka Presidencën e unionit në periudhën e përcaktuar kohore kur takimet mbahen.
Në to, ka një qëllim kryesor dhe ai është paraqitja e artikujve dhe kapitujve ligjorë që duhen arritur nga vendi kandidat. Në tërësi, janë rreth 130 mijë faqe material, të grupuar në 35 kapituj.
Vendi anëtar duhet ta sjellë legjislacionin e vet në kushte identike me ato të vetë unionit.
Ky proces i përafrimit ligjor njihet edhe si “aquis” (diçka për të cilën është rënë dakord).
Për secilin kapitull, dy takime formale ndërqeveritare zhvillohen mes vendeve kandidate dhe strukturave të BE-së.
Me plotësimin e kushteve të një kapitulli të caktuar nga vendi që aspiron unionit, kalohet në kapitullin tjetër, e deri në përmbylljen e gjithë procesit.
Gjatë Konferencave Ndërqeveritare, qëllimi i BE-së është të pasqyrojë dhe shpjegojë kuadrin ligjor në të cilin unioni funksionon dhe më pas të japë direktiva për arritjen e këtyre kritereve nga kandidatët.
Një raport publikohet më pas nga Komisioni Evropian për çdo kapitull të diskutuar në konferencë.
Këshilli i Evropës më pas, është ai që vendos ta pranojë apo jo propozimin e ardhur nga raporti i Komisionit. Në bazë unanimiteti, vendoset edhe hapja ose jo e kapitujve nga një vend./AP