Ish-shefi i krimeve të Komisariatit nr. 6, Dedan Gjoni, i arrestuar më herët i akuzuar për sigurim të kushteve për të kryer vrasje, dyshohet të jetë i përfshirë në një tjetër ngjarje kriminale.
Gazetarja e ABC News, Xhensila Kodra raporton se hetuesit kanë gjetur prova që Gjoni ka marrë pjesë në një tjetër vrasje e mbetur në tentativë. Gjatë kohës që ai ka qenë me detyrë më Komisariatin e Shijakut, dyshohet se ka bashkëpunuar me një grup kriminal për të vrarë një person.
Nga provat e mbledhura deri tani, urdhri i krimit është dhënë nga Holanda. Nga hetimet ka rezultuar se ish-efektivi ka thirrur në Komisariat objektivin, u ka thënë autorëve që çfarë ore do e lironte si dhe u ka nisur foto të tij. Më pas autorët janë tërhequr dhe ngjarja në atë kohë nuk ndodhi.
“Bëhet fjalë për kohën kur Dedan Gjoni punonte në komisariatin e Shijakut, dyshohet se bashkëpunonte me një grup kriminal. Dedan Gjoni kishte siguruar foto të objektivit, madje e kishte thirrur në zyrën e tij, në momentin që do e lëshonte nga komisarati, ka njoftuar orarin te grupi kriminal. Kjo vrasje nuk u krye pasi pati një tërheqje nga grupi kriminal. Nga bisedat në EnroChat, ka dyshime se Dedan Gjoni, i ka dhënë informacione të tjera grupit kriminal. Porosia për vrasjen në zonën e Shijakut është dhënë nga shteti holandez. Është organizuar një aksion ditën e djeshme, por edhe mëngjesin e sotëm nga forcat RENEA për goditjen e një grupi kriminal, ku ka dyshime se ishte i përfshirë edhe Dedan Gjoni”, raportoi gazetari i ABC News, Ervin Leka.
Gjoni u arrestua një muaj më parë me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), pasi ishte pjesë e një grupi kriminal, bashkë me ish Drejtorin e Policisë së Tiranës, Erzen Breçani.