Duke folur mbi ngjarjen në makinën e Orest Sotës, Dritan Demiraj, i cili drejtoi Ministrinë e Brendshme për rreth 4 muaj, tha se nga punonjës të policisë së Elbasanit ka mësuar se sasia e parave në automjet ishte 2-3 herë më e madhe sesa ajo e sekuestruar. Gjithashtu Demiraj tha se ish-ministri Tahiri i ka kërkuar kreut të policisë së Elbasanit, Altin Qato që të fshihte patentat e gjetura në automjet.

Paratë e sekuestruara nga policia në makinën e Orest Sotës në 1 nëntor nuk janë tërhequr nga ndonjë llogari bankare. Ky të paktën është një nga informacionet e grupit hetimor dhe prokurorëve të krimeve të rënda, sipas të cilëve shuma e sekuestruar nuk përmbante shiritat përkatës sikundër ndodh në rastet e tërheqjes së shumave të tilla.

Burime nga prokuroria bënë të ditur për median se gjithashtu bankave të nivelit të dytë i është kërkuar informacion zyrtar nëse një shumë e tillë është tërhequr nga biznesmeni apo familjarë të tij nga këto institucione.

Prokurorët mësohet se kanë sekuestruar librin e shitjeve të Kurum, ku regjistrohen të gjitha raportet tregtare mes kompanisë dhe bizneseve të ndryshme. Verifikimi i këtij libri pritet të çojë prokurorët në konkluzionet nëse mes firmave të biznesmenit Sota ka pasur apo jo marrëdhënie tregtare me kompaninë Kurum.

Veritas.com.al/