Deputetët e Partisë Demokratike të Rithemelimit bllokuan punën e Komisionit të Reformës zgjedhore, në atë që duhet të ishte mbledhja e parë pas më shumë se një muaji.

Deputetët e Rithemelimit u futën në sallën e komisionit dhe nisën të debatonin me ata të maxhorancës, duke bërë që një pjesë e socialistëve të largoheshin nga salla.

Komisioni duhet të niste punën për hartimin e ligjit të ri zgjedhor nën drejtimin e dy bashkëkryetarëve, Enkelejd Alibeaj dhe Damian Gjikunrit. Më herët, socialistët nuk pranuan të merrnin parasysh kërkesën e Rithemelimit për të ndryshuar Alibeajn me Oerd Bylykbashin.

Një ditë më parë, në një intervistë për A2 CNN, deputetja socialiste Klotilda Bushka tha se diskutimi dhe miratimi i ligjit elektoral duhet të jetë një proces politik dhe gjithëpërfshirës, por në mungesë të 84 votave të domosdoshme dhe të konsensusit politik, nuk e përjashtoi miratimin e kodit edhe me vota personale nga opozita.

Demokratët e Bashës kanë deklaruar se janë të hapur për të diskutuar mbi ligjet me 84 vota, e siç thonë ata edhe votimin e atyre që kanë rëndësi kombëtare. Këtë gatishmëri nuk e gjejnë tek deputetët e grupimit-Berisha-Bardhi nismat e të cilëve janë refuzuar. Për ta  PS ka gati “kërbaçin” parlamentar me Rregullore të re nëse vijojnë bllokimin e seancave./a2cnn/