Instituti i Studimeve Politike denoncon skandalin e projektimit që ka marrë Kuvendi i ardhshëm sipas nominimeve që iu kanë bërë partitë deputetëve të tyre.

Mes tyre ka edhe me shtatë klasë shkollë, e jo vetëm pa përvojë politike por vijnë edhe nga profesione si shoferë maunesh, parukierë e teknikë.

Na thuhet se janë më të mirët, gjysma Rilindas dhe gjysma tjetër atdhetarë e reformatorë. Shikojini këto të dhëna, – janë vetëm disa prej mbi 2000 kandidatëve që janë regjistruar në zgjedhje, nga PDIU, ADK, PSD, PK, Sfida, LSI e PS, disa prej të cilëve janë në vende të sigurta për deputetë.

Ja deklarimet e tyre:

– njëri tregon se ka punuar gjysmën e jetës shofer,

-tjetri se është sponsor historik i partisë (në asnjë nga deklarimet vjetore të PS në KQZ nuk figuron emri i tij si sponsor..!),

-tjetri është biznesmen,

-tjetri me shkollë të mesme,

-tjetri thotë se ka pasur poste në firmën e tij private dhe kërkon mandat të dytë parlamentar.

Shikojini më tej edhe ca modele të tjera me CV, të evidentuara nga stafi i Institutit të Studimeve Politike.

– një radist,

-dy shoferë të tjerë, me dallimin se njëri është shofer mauneje ndërkombëtare,

– një punonjës i pastrimit,

-një punonjës në sallon bukurie,

-një teknik pulti,

-dy pa profesion dhe pa përvojë pune në jetë,

-dhe së fundi, edhe një kandidat me arsim 7 vjeçar!

Shumica e tyre thonë se nuk kanë përvojë politike, por të gjithë janë regjistruar për të shkuar ‘jo në tregun elektrik në Tiranë’, por në nivelin më të lartë të politikës, në Parlament, – aty ku bëhet politikë, ku miratohen ligje, zgjidhet Presidenti dhe mund të ndryshohet Kushtetuta! Dhe nuk janë të vetëm: Në listat e partive numri i tyre shkon më shumë se 30% e listës së kandidimit, madje shumë prej tyre i gjen edhe në krye të listës në qarqe.

Ata tani janë emëruar, janë shpërblyer dhe me siguri, janë duke përgatitur posterët e fletëpalosjet me premtime.

/Veritas.com.al/