(FOTO: Deputeti Peza dhe kryeministri Rama)/
Nga Lindita Çela/ BIRN
Pasi Mirela Ndini, bashkëshortja e deputetit socialist Alfred Peza u shfaq si aksionere e një banke të nivelit të dytë, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave njoftoi sot hapjen e hetimeve për origjinën e pasurisë 100 milionë lekë si dhe për konflikt të mundshëm interesi.
Inspektoriati njoftoi nisjen e hetimeve pas publikimit në media të një kontrate të nënshkruar në mars të vitit 2015 mes Aleksandër Pilo dhe Mirela Ndini, në të cilën Pilo i shiti Ndinit 1 për qind të aksioneve të bankës se nivelit te dyte, përkundrejt një shume prej 113 milionë lekësh (rreth 820 mijë euro). Mirela Ndini është bashkëshortja e deputetit socialist Alfred Peza, i cili më parë ka punuar si gazetar. Peza deklaroi, pas publikimit të lajmit, se paratë për blerjen e aksioneve janë kursime të familjes së tij dhe se janë deklaruar prej tij në deklaratën e pasurisë në ditën kur ai u shpall deputet i kuvendit.
Sipas njoftimit për shtyp të ILDKPDI, “Objekt i këtij kontrolli nuk do të jenë vetëm pasuritë e subjektit në fjalë, burimet e krijimit dhe ligjshmëria e tyre, por gjithashtu edhe gjendja e konfliktit të interesit”.
Peza këmbëngul se paratë e blerjes së aksioneve janë të ligjshme. Pas publikimit të lajmit të hapjes së hetimeve, ai shkroi në Facebook: “Mirëpres kontrollin e plotë dhe hetimin administrativ që ILDKP ka nisur sot në lidhje me pasurinë e familjes time.”
Zbulimi i kontratës së vitit 2015 javën e kaluar shkaktoi reagime të shumta publike. Partia Demokratike në opozitë e konsideroi ngjarjen skandal dhe pasqyrë të nivelit të lartë të korrupsionit në qeverisjen e vendit. “Në të vërtetë, skandali i pasurisë 1 miliardë e 100 milionë lekë të deputetit Alfred Pezës, tregon pellgun e madh të korrupsionit të kësaj maxhorance. Miliardat e Pezës janë vetëm pjesa e dukshme e miliardave që kanë përfituar deputetë, ministra e njerëz të afërt me Edi Ramës qysh ditën e parë që erdhën në pushtet,” deklaroi një zëdhënëse e Partisë Demokratike të dielën.
Alfred Peza, është ish gazetar me karrierë të gjatë në median shqiptare ndërsa në vitin 2013 u zgjodh deputet nga listat e Partisë Socialiste në Qarkun e Elbasanit.
Kjo është aktualisht një nga dy bankat e vetme me kapital kryesisht shqiptar në Shqipëri. Sipas të dhënave mbi aksionerët e kësaj banke të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Ndini bleu afro 523 mijë aksione ose 1 për qind të aksioneve të bankës me vlerë nominale prej 54 milionë lekësh nga Aleksandër Pilo, një nga aksionarët më të hershëm të bankës. Kontrata e transferimit, e publikuar në prill 2015 në QKB, tregon se këto aksione u blenë nga Ndini për 113 milionë lekë. Që nga prilli i vitit 2015, kjo banke ka ndërmarrë disa herë rritje të kapitalit aksioner përmes mos-shpërndarjes së fitimeve apo përmes emetimit të kuotave të reja të aksioneve. Aktualisht Ndini disponon 0.79 për qind të aksioneve të bankës.
Inspektoriati dhe drejtuesi i inspektoratit, Shkëlqim Ganaj, kanë qenë nën akuza gjatë kohëve të fundit për inaktivitet në hetimin e rasteve të dyshuara për pasuri të pajustifikuara për konflikt interesi. Prokuroria e Përgjithshme ka hapur aktualisht hetime ndaj Ganajt për mungesë hetimesh.
Zyrtarët e lartë të zgjedhur apo të emëruar kanë detyrimin të deklarojnë pasuritë dhe interesat e tyre private që nga viti 2003.
Inspektoriati pritet ta hetojë Pezën jo vetëm për burimin e pasurisë, por edhe për mundësinë e konfliktit të interesave. Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, deputetët nuk mund të kenë interesa në kompani që ka “veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre”. Mbetet për t’u parë nëse aktiviteti i zakonshëm i bankës bie apo jo në këtë klauzolë të Kushtetutës.
BIRN/ Veritas.com.al/