Detaje të reja për ngjarjen e ndodhur pas mesnate në periferi të kryeqytetit, ku u sulmuan me armë zjarri zyrat e Top Channel dhe mbeti i vrarë një roje sigurie.

Mjeti i përdorur në sulmin me kallashnikov ndaj Top Channel është tip ‘Range Rover. Makina rezulton të jetë vjedhur në Shkodër. Për ta përdorur në sulm i janë vendosur targa të vjedhura. Atentatorët besohet të kenë qenë tre, një në timon dhe dy me kallashnikovë në duar që kanë qëlluar në drejtim të televizionit kombëtar.

Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00. Autorët, ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri dhe një nga plumbat la të vdekur rojen e sigurisë, Pal Kola, 60 vjeç. Mjeti i përdorur në krim u gjet në flakë bashkë me armët.

Sipas hetimeve, në vendin e ngjarjes janë gjetur mbi 25 gëzhoja. Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së objektit, por edhe të bizneseve në autostradë, për të zbuluar lëvizjet e autorëve.

Ende nuk dihet se çfarë motivi mund të fshihet pas këtij sulmi të rëndë ndaj televizionit Top Channel. Grupi hetimor është fokusuar në dy pista, një prej tyre mund të jetë një mesazh për pronarët e Top Channel, ndërsa një tjetër pistë është edhe një mesazh kundër produksionit të Big Brother. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të saj. Pritet edhe sekuestrimi i kamerave të sigurisë, për të bërë të mundur sado pak zbardhjen e dinamikës së ngjarjes.