Banka e parë gjermane ka pranuar t’ua paguajë këtë shumë autoriteteve amerikane për të zgjidhur konfliktet ligjore të hapura që nga viti 2014.
Deutsche Bank, banka më e madhe e Gjermanisë, pranoi t’u paguajë 95 milionë dollarë autoriteteve amerikane për t’u çliruar nga akuzat për evazion fiskal, njoftoi të mërkurën prokurori i çeshtjes. Drejtësia amerikane “e detyroi Deutsche Bank të pranojë se ka ndërmarrë veprime me synim shmangien e taksave dhe e bëri të pranojë t’u paguajë 95 milionë dollarë Shteteve të Bashkuara si dëmshpërblim”, njoftoi Preet Bharara, një nga prokurorët e shtetit të Nju Jorkut.
Faktet datojnë në vitin 2000, pas blerjes nga banka gjermane e kompanisë amerikane, Charter, që zotëronte aksione të laboratorit farmaceutik Bristol-Myers Squibb. Charter kishte realizuar një fitim të konsiderueshëm në kapitalet e saj, por Deutsche Bank duhej të paguante miliona dollarë në taksa në rast se i rishiste ato.
Shumë minimale
Banka kish krijuar pra një kompani fantazmë tek e cila qe rishitur Charter para se të likuidohej. Kompania në fjalë ia kishte rishitur më pas aksionet Bristol-Myers Squibb Bankës gjermane, dhe pastaj kishte deklaruar në tatimet amerikane se nuk kishte fonde të mjaftueshme për të paguar taksat për këtë transaksion. Preet Bharara saktësoi se Deutsche Bank e kishte pranuar se i kishte planifikuar këto veprime për të mos paguar taksat. Banka po ndiqej që nga viti 2014 për këtë çeshtje.
Kjo gjobë shënon një etapë të re në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të Deutsche Bank në SHBA, edhe pse më pak se 100 milionë euro, shuma është minimale në krahasim me 7.2 miliardë dollarë dëmshpërblim që ajo ka pranuar në fillim të dhjetorit, për rolin e saj në krizën e kredive bankare. Kjo shumë ishte gjithësesi shumë më e ulët se ç’qe parashikuar nga tregjet, që reflektuan një lehtësim për perspektivat e grupit gjerman dhe, më tej, për financat botërore në përgjithësi.
/Veritas.com.al/