
Diella, ministrja e re e kabinetit qeveritar të Ramës, është bërë në pak ditë qendra e vëmendjes për mediat ndërkombëtare.
E krijuar nga inteligjenca artificiale dhe pa prani fizike, Diella është emëruar në krye të prokurimeve publike, një hap inovativ që synon të luftojë korrupsionin dhe të sjellë transparencë të plotë në shpenzimet publike. Për herë të parë, një asistente digjitale zë vend në një kabinet qeveritar, duke shënuar një precedent unik jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.
Asistentja virtuale Diella e krijuar nga inteligjenca artificiale, e cila ndihmon qytetarët të orientohen në shërbimet publike online, është bërë anëtarja e parë e kabinetit qeveritar, e ngarkuar me mbikëqyrjen e prokurimeve publike një përpjekje për të luftuar korrupsionin, ka njoftuar kryeministri Edi Rama.
Diella, ka funksionuar që prej janarit si asistente në portalin shtetëror e-Albania, duke ndihmuar përdoruesit përmes komandave zanore në kryerjen e një game të gjerë shërbimesh burokratike, që përfshijnë rreth 95% të shërbimeve për qytetarët të ofruara në mënyrë digjitale.
Diella, anëtarja e parë e kabinetit që nuk është fizikisht e pranishme, por e krijuar në mënyrë virtuale nga inteligjenca artificiale”, do të ndihmojë që Shqipëria të bëhet “një vend ku prokurimet publike janë 100% të pastra nga korrupsioni”, deklaroi kreu i qeverisë Rama të enjten, 11 shtator, në Asamblenë e PS.
Duke shpallur përbërjen e qeverisë së tij të katërt radhazi në konferencën e Partisë Socialiste në Tiranë, Rama tha se Diella, e cila shfaqet në portalin e-Albania e veshur me kostum tradicional shqiptar, do të marrë rolin e “shërbëtores së prokurimeve publike”. Vendimmarrja për fituesit e tenderëve publikë do të hiqet gradualisht nga ministritë dhe do t’i besohet inteligjencës artificiale, për të garantuar që “çdo shpenzim publik nëpërmjet tenderëve të jetë 100% transparent”.
Sipas Ramës, Diella do të analizojë çdo tender ku qeveria kontrakton kompani private dhe do të vlerësojë në mënyrë objektive çdo ofertë, duke shmangur ndërhyrjet njerëzore dhe ndikimet e paligjshme. Rama, i rizgjedhur në maj, ka deklaruar më parë se sheh te inteligjenca artificiale një mjet potencialisht efektiv për të luftuar korrupsionin, duke eliminuar rryshfetet, kërcënimet dhe konfliktet e interesit.
Tenderët publikë në Shqipëri prej kohësh janë akuzuar si burim skandalesh korruptive. Ekspertët ndërkombëtarë e konsiderojnë vendin një nyje të pastrimit të parave nga trafiku i drogës dhe armëve, me korrupsion që ka prekur edhe nivelet më të larta të qeverisjes.
“Mediat shqiptare e kanë përshkruar këtë hap si “një transformim të madh në mënyrën se si qeveria shqiptare e koncepton dhe ushtron pushtetin administrativ, duke e vendosur teknologjinë jo vetëm si mjet ndihmës, por si pjesëmarrëse aktive në qeverisje”, shkruhet në artikull.
Komente