Gjykata Europiane dhe Komisioni Europian kanë argumentuar se koha që punonjësit shpenzojnë për të ardhur dhe për t’u larguar nga puna, duhet të konsiderohet si pjesë e orarit dhe punës dhe të paguhet. Në direktivën e Bashkimit Europian dedikuar kushteve të punës, janë renditur një sërë detajesh që specifikojnë standardet minimale që duhen siguruar për çdo punonjës të çdo sektori. Bisedimet për rishikimin e kësaj direktive kanë nisur që në 2010.
Gjykata Europiane ka argumentuar se koha që punonjësit shpenzojnë për të shkuar nga shtëpia në punë dhe anasjelltas, duhet të konsiderohen si orë pune dhe si të tilla duhet edhe të paguhen. Kjo deklaratë pritet të ndikojë në jetët e miliona punonjësve në Bashkimin Europian, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.
Bashkimi Europian ka një direktivë të dedikuar kushteve të punës për vendet anëtare dhe fokusi i saj është shëndeti dhe siguria e punëtorëve gjatë periudhës së punës. Oraret e punës duhet të përmbushin një minimum të standardeve të përcaktuara nga Unioni Europian. Këto janë disa nga të drejtat të cilat duhen garantuar për të gjithë punonjësit:
- Orët e punës në javë nuk duhet të kalojnë 48 orë mesatarisht, duke përfshirë edhe punën jashtë orarit.
- Në çdo 24 orë duhet siguruar një pushim minimal prej 11 orësh të njëpasnjëshme.
- Një periudhë minimale e pushimit javor prej 24 orësh të pandërprera për çdo 7 ditë.
- Një pushim gjatë orëve të punës, nëse punonjësi është në detyrë më gjatë se 6 orë.
- Leje vjetore e paguar për të paktën 4 javë në vit.
- Mbrojtje e veçantë për personat që punojnë në turnin e natës, të cilët midis të tjerash, kanë të drejtën të përfitojnë vlerësime shëndetësore falas.
Kjo direktivë është duke u rishikuar tashmë nga Komisioni Europian i cili do të arrijë në një vlerësim të detajuar mbi oraret e punës.
Diskutimet për ndryshime të kushteve të punës kishin filluar që në vitin 2010 dhe kaluan në dy faza të konsultimit, ndërkohë që negociatat nisën 1 vit më vonë.
Për shkak se organizatat e punonjësve dhe punëdhënësve nuk arritën në një konsensus, mbetet në dorë të Komisionit fuqia për ndryshimin e këtij udhëzimi, ku do të merren parasysh aspektet ekonomike e sociale, të bazuara në studime paraprake dhe analiza të opsioneve të mundshme dhe efekteve të tyre.