Në ditën e 8 të protestës, kreu demokrat Lulzim Basha deklaroi së kjo është një luftë nga e cila do të kthehen vetëm me fitore. Sipas tij, një grusht kriminelësh po drejtojnë vendin, duke zhvatur Shqipërinë dhe qytetarët.

Ai u shpreh i vendosur për të mos u kthyer në parlament. “Ne nuk kthehemi në parlamentin e krimit, aty ku janë ulur kriminelët. Këtu është parlamenti i vërtetë që do të ketë deputetët e qytetarëve. PD dhe opozita është e vendosur për t’i shkuar deri në fund vendimit qytetar. Zgjedhje me këtë qeveri nuk ka për të pasur. Kush nuk e ka të dëgjuar ta dëgjojë, zgjedhje me krimin nuk ka për të pasur kurrë më.

Misioni ynë përfundon vetëm kur të kemi varrosur republikën e vjetër e të kemi vendosur republikën e re të qytetarëve shqiptarë. Nuk do të ketë më kompromis me të drejtat themelore të qytetarëve, nuk do të lejojmë pazare të ndyra politike mes partive politike në shumicën dërrmuese të qytetarëve shqiptarë. Unë jam këtu për tu premtuar se kjo nuk do të ndodhë më.Se interesat e kësaj lëvizje popullore, kombëtare, demokratike, janë mbi interesat e çdo partie politike, përfshi PD, përfshi Lulzim Bashën sepse janë interesat tuaja, të shqiptarëve dhe Shqipërisë. Le tu kujtojmë këtë mëngjes të 8-të të përballjes tonë popullore se ne nuk tërhiqemi. Rama largohu dhe hapi rrugë një qeverie për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Basha.